Pavarësisht rritjes së kërkesave për transparencë, Policia në Sarajevë ka vendosur të përdorë kamera trupore prej një kompanie kundërthënëse kineze, e cila po kritikohet në Kanada dhe Bashkimin Evropian, ndërsa është në listën e zezë amerikane, pas shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Raportimet e Radio Evropa e Lirë tregojnë se pavarësisht këtyre paralajmërimeve – përfshirë akuzat prej Departamentit amerikan të Drejtësisë për spiunazh industrial – Ministria e Drejtësisë në kantonin e Sarajevës, ka vendosur më 2023 të blejë 200 kamera trupore të kompanisë Hytera për zyrtarët policorë.
Një pjesë e kompanisë Hytera zotërohet prej shtetit.
Kamerat është thënë se janë blerë për një pilot-program të lansuar më 1 korrik.
Kjo ngjarje në nivel lokal ndodh teksa në Evropë janë rritur diskutimet rreth përdorimit të pajisjeve kineze të telekomunikimit nëpër programet qeveritare.
Përderisa Shtetet e Bashkuara kanë qenë më striktet – duke i ndaluar kamerat e vëzhgimit dhe pajisjet tjera të prodhuara prej gjigantëve kinezë, sikurse Huawei, ZTE, Dahua dhe Hikvision – Qeveritë evropiane sikurse ato në Britani, Gjermani, Francë dhe shtetet baltike, janë duke përditësuar, po ashtu, sistemet e prokurimit, pasi janë shtuar hetimet për rreziqet e sigurisë dhe praktikat e dobëta të ruajtjes së të dhënave në një mori kompanish kineze.
Në Bosnje e Hercegovinë dhe vende të tjera në Ballkan, qeveritë me buxhete më të kufizuara, janë duke i kthyer sytë gjithnjë e më shumë sytë te pajisjet e përballueshme kineze.
Një arsye tjetër është edhe debati i pakët publik për implikimet potenciale për sigurinë, që bartin pajisjet e kompanive kineze.
Në rastin e blerjes së kamerave trupore për zyrtarët policorë – të cilat vendosen në trupat e tyre për të regjistruar arrestimet dhe për të fituar më shumë të dhëna nga skenat e krimit – në vlerë të 200.000 eurove, ministri i Brendshëm në kantonin e Sarajevës, Admir Katica, nuk e ka përmendur publikisht që pajisjet janë prodhuar nga Hytera, apo që kompania është në listën e zezë amerikane.
Kur është pyetur nëse është në dijeni për akuzat se Hytera është në listën e zezë të Qeverisë amerikane, Ministria e Brendshme e kantonit të Sarajevës, ka thënë se ligji i Bosnjës për prokurim publik “nuk parasheh përjashtimin e një ofertuesi, për shkak të kritereve të përmendura në pyetje”.
Drazen Vidakoviq, avokat që ka punuar më parë në Agjencinë e Prokurimit Publik të Bosnjës, ka thënë se ligji lokal për prokurim parasheh përjashtimin e një ofertuesi nëse ndaj tij ekzistojnë procedura penale, mirëpo shfrytëzimi i këtyre dispozitave të ligjit, kur bëhet fjalë për akuza ndërkombëtare, është proces i vështirë.
“Një ofertues mund të refuzohet për shkak të ndonjë sjelljeje të keqe profesionale, dhe spiunazhi industrial mund të konsiderohet sjelle e keqe profesionale”, ka thënë Vidakoviq.
“Mirëpo, është e vështirë të vërtetohet sepse vendimi nuk është marrë duke u bazuar në ligjet tona, andaj nuk kemi ndonjë vendim gjyqësor për citim”.
Veprimtaria e kompanisë Hytera
Hytera Communications është themeluar më 1993 dhe njihet më së shumti për radio-transmetues, radio-marrës, sisteme të radiove, dhe kamera trupore, sikurse ato që i ka blerë Policia e Sarajevës.
Qeveria kineze zotëron 10 për qind të aksioneve të kompanisë Hytera, përmes një fondi investues.
Shitjet dhe importimi i këtyre pajisjeve është i ndaluar në Shtetet e Bashkuara, pasi Komisioni Federal për Komunikime ka vendosur më 2021 që kjo kompani është vetëm njëra prej sipërmarrjeve kineze që përbëjnë “rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, apo për sigurinë e banorëve të SHBA-së”.
Kompania kineze është përfshirë edhe në disa beteja të shumëfishta ligjore në Shtetet e Bashkuara, lidhur me akuzat se ka vjedhur sekrete tregtare prej kompanisë amerikane të telekomunikimeve Motorola, kompani lidere në tregun global për kamera trupore të zyrtarëve policorë, përveç Hyteras dhe Axonit – një tjetër kompani amerikane.
Një juri amerikane ka vendosur në favor të Motorolas në rastin kundër Hyteras, më 2020, dhe ka kërkuar që kompanisë amerikane t’i paguhet dëmshpërblim në vlerë të 748 milionë dollarëve amerikanë.
Një tjetër rast gjyqësor kundër Hyteras, nën dyshimet për vjedhje dhe mashtrime me të drejta pronësore prej Motorolas, pritet të nisë në tetor.
Conor Healy, drejtor për kërkime qeveritare në IPVM, kompani për kërkime në industrinë e vëzhgimit, ka thënë se përgjigja e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme në kantonin e Sarajevës, është e pamjaftueshme.
“Ky është arsyetim i shpeshtë që bëhet prej agjencive publike në gjithë botën”, ka thënë ai.
“Realiteti është që rregulloret e prokurimit pothuajse gjithmonë ofrojnë një hapësirë për t’i mbajtur furnizuesit larg ndërlikimeve ligjore”.
“A ka qenë policia me të vërtetë e pafuqishme për t’u përmbajtur nga bërja e biznesit me kompani që janë paditur për çështje penale?”, ka pyetur Healy.
“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ekzistojnë probleme në ligjin për prokurim”.
Në Kanada, Policia Mbretërore Kanadeze – shërbimi kombëtar policor – është përballur me kritika më 2022 pse ka blerë kamerat trupore Hytera, dhe në fund është detyruar të pezullojë kontratën me një filial të sajin lokal.
Një hulumtim i mëvonshëm ka gjetur se pajisjet nuk përbëjnë shqetësime për sigurinë, mirëpo ky incident ka rezultuar me bërje të ndryshimeve në sistemin e prokurimit të këtij institucioni kanadez.
Edhe disa institucione qeveritare të Bashkimit Evropian kanë nisur të flakin tutje pajisjet e Hyteras.
Në një rishikim që ua ka bërë Radio Evropa e Lirë dokumenteve të prokurimit të Shërbimit Evropian për Çështje të Jashtme – shërbimi diplomatik i bllokut evropian – tregon se institucioni ka nisur të zëvendësojë pajisjet e Hyteras që i përdor në selinë në Bruksel dhe në disa zyra tjera, me pajisjet e kompanisë Motorola.
“Zëvendësimi i pajisjeve radio bazohet në vlerësimet teknike dhe operacionale të delegacioneve të BE-së”, është thënë në një përgjigje me shkrim të shërbimit diplomatik të BE-së.
Pilotprogrami i Sarajevës
Pilotprogrami për kamera është premtuar fillimisht më 2021 kur Qeveria e sapozgjedhur lokale në kantonin e Sarajevës pati thënë se synon të përmirësojë transparencën dhe efikasitetin e forcës policore.
Pajisjet janë blerë prej furnizuesit me bazë në Sarajevë, MIBO Komunikacije, në nëntor të vitit 2023, dhe programi i lansuar më 1 korrik është pilot program që përfshin policinë e trafikut të kantonit, duke i bërë njësitet e para policore që përdorin kamera trupore në Bosnje-Hercegovinë.
Ministria e Brendshme e kantonit ka thënë se kamerat trupore janë në periudhë të testimit, për të kuptuar se si pranohen nga zyrtarët policorë dhe publiku.
Një çështje e ngritur nga Healy për blerjen e pajisjeve Hytera është se përveç kamerave, janë blerë edhe softuerë të kompanisë për shkarkim të pamjeve nga kamerat, si dhe për menaxhim të materialit.
“Janë shumë të dhëna që incizojnë kamerat trupore dhe siguria e bazave të të dhënave është shumë e rëndësishme”, ka thënë Healy.
Ministria ka thënë se Njësiti i tij për Standarde Profesionale, si dhe Departamenti për Kontroll të Brendshëm, kanë qasje në materialin e incizuar nga kamerat dhe janë duke marrë masa për ta menaxhuar atë.
“Materiali i incizuar ruhet për 30 ditë në arkiva, ndërsa gjatë periudhës së testimit të pajisjes, incizimet ruhen vetëm për shtatë ditë”, ka thënë ministria.
Haealy beson se ekzistojnë rreziqe nëse institucionet varen prej softuerëve të Hyteras, duke marrë parasysh se sisteme të ngjashme të kompanive tjera vëzhguese kineze, sikurse Dahua dhe Hikvision, janë kritikuar për keqmenaxhim të të dhënave, është dokumentuar se janë të cenueshme ndaj sulmeve të hakerëve dhe janë akuzuar se u kanë dhënë qasje elementëve të Qeverisë kineze – akuza që janë hedhur poshtë vazhdimisht nga kompanitë.
“Sa herë kemi dëgjuar kompanitë duke thënë se nuk kanë qasje në të dhëna dhe më pas e vërteta ka qenë ndryshe?” ka thënë Healy.
“Shpresoj që Policia në Sarajevë të kuptojë sa të ndjeshme janë të dhënat që po incizojnë dhe ruajnë”, shtoi ai.
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...