Mali i Zi dënoi sulmin kundër ambasadës malazeze në Beograd të kryer nga protestues serbë, që kundërshtonin ligjin për të drejtat fetare të miratuar muajin e kaluar nga parlamenti i Malit të Zi.
Autoritetet malazeze thanë se sulmi ndaj misionit diplomatik në Beograd është sulm ndaj pavarësisë së këtij shteti të vogël të Ballkanit.
Turma e mbledhur pranë ambasadës, anëtarë të grupit të tifozëve “Delije” ose në shqip “djem të ashpër”, sulmoi objektin e pambrojtur dhe u përpoq të djegë flamurin malazez mbi ambasadë, të enjten në mbrëmje.
Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviç, shkroi në Twitter se sulmi në ambasadë është një veprim i pacivilizuar dhe një sfidë tjetër për pavarësinë dhe lirinë e vendit të tij të vogël.
Ai tha se “nuk mund ta besonte” se si policia serbe nuk mbrojti ambasadën, jo vetëm të enjten, por edhe gjatë protestave tjera që vazhduan të premten.
“Ne do ta mbrojmë Malin e Zi përkundër urrejtjes që vjen nga aktorët e njëjtë, brenda dhe jashtë vendit”, tha zoti Markoviç.
Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2006. Gati një e treta e popullsisë prej rreth 620 mijë banorësh, deklarohen si serbë dhe duan lidhje të ngushta me Beogradin.
Të drejtuar nga Kisha Ortodokse serbe dhe të mbështetur nga propaganda shtetërore serbe, malazezët pro-serbë ka ditë që janë duke protestuar kundër ligjit të ri për të drejtat fetare.
Ata thonë se ligji i ri i mundëson Malit të Zi të konfiskojë pronat e kishës, duke përfshirë manastiret, kishat dhe pasuri të tjera. Këto pretendime janë mohuar vazhdimisht nga qeveria malazeze.
Dallimet u rritën edhe më shumë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, njoftoi për një vizitë private tek serbët e Malit të zi, planifikuar për 7 janar me rastin e krishtlindjeve ortodokse.
Ai i quajti gënjeshtra akuzat e kryeministrit malazez se policia në Beograd nuk e mbrojti ambasadën gjatë protestës.
“Ne nuk po kërcënojmë pavarësinë e Malit të Zi, ju po kërcënoni monumentet e shenjta që nuk u takojnë”, tha zoti Vuçiç.
Ministri i Jashtëm malazez i dërgoi një notë proteste ambasadorit serb, ku i kërkoi të kundërshtohen veprimet kundër ambasadës.
Por, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, njoftoi se ambasadori refuzoi ta merte notën e protestës, sepse kjo, siç tha ai, është përpjekje e Malit të Zi të fajësojë Beogradin për krizën mes dy vendeve.
Ai shtoi se përpjekja për të djegur flamurin malazez nuk është në favor të Serbisë dhe se u shërben vetëm armiqve të shtetit.
Rastin e komentoi edhe ambasadori amerikan në Mal të Zi, Judy Rising.
“Sulmi mbi misionin diplomatik është i papranueshëm. Dallimet në mendime duhet të zgjidhen përmes dialogut, jo dhunës dhe akteve vandale”, tha ai.
Anëtarët nga i njëjti grup i tifozëve të futbollit, të quajtur “Delije”, ishin autorë të sulmit në ambasadën amerikane në Beograd në vitin 2008. Policia nuk ndërhyri derisa turma i vuri flakën ambasadës, në shenjë proteste për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Grupi “Delije” janë të njohur për lidhje të afërta me partinë nacionaliste në pushtet dhe policinë sekrete./Zeri i Amerikes
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën