Edhe pse kanë kaluar 19 vjet nga masakra e Lubotenit, Avushe Aliu, nëna e Erxhanit të ndjerë, viktimës më të re të kësaj masakre, jeton më dhimbjen dhe mallin që i shtohet për të birin.
Çdo ditë ajo kalon pranë vendit ku më 10 gusht granata e lëshuar nga forcat maqedonase vrau djalin e saj teksa ishte duke luajtur pranë shtëpisë.
Granata e kishte godit Erxhanin. Nuk e kemi njohur se ishte djali jonë. E kishin bërë copa. Kur na e kanë sjellë unë nuk e kam njohur se është djali jonë. As sytë nuk i kishte pas, hiç. Mezi e kemi varrosur. Vendin e ka më poshtë, ku e ka kapur granata, aty kalojmë ne. S’ka më ditë të mira për ne”, thotë Avushe Aliu- Nëna e Erxhanit.
Vetëm pak pasi kishin varrosur të birin, policia kishte arrestuar të atin e Erxhan Aliut, të cilin e kishin torturuar dhe e mbajtën në burg 4 muaj e 10 ditë.
“Për djalin…s’ka më keq. Krejt më rri para syve, në çdo moment, sepse ka qenë shumë keq nga granata, i copëtuar. Fëmijë, çfarë faji pati një fëmijë, çfarë faji pata unë që na morën na burgosën. 48 orë na kanë torturuar nëpër stacione të policisë. Na mbajtën në burg, na bënë terrorist. Në Hagë kam qenë dy herë. Ja tek i lëshuan. Këta tanët i kanë lëshuar- tha Isni Aliu – Babai i Erxhan Aliut.
Mevludin Bajrami ishte vetëm 14 vjeç kur i vranë dy vëllezërit e tij, Sulejman Bajramin dhe Xhelal Bajramin. Ai rikujton se pasi këtij momenti burrat i kanë torturuar aq sa vet nëna e Mevludinit nuk e ka njohur të birin kur ka shkuar ta vizitojë në stacionin policor.
“Këtu e kanë vrarë baçin Muharrem, ja mu këtu. Vëllain Sulejmanin e kanë vrarë para syve aty më poshtë. Një njeri nuk e bën atë punë, na kanë torturuar sa prej aty e kemi humbur vetëdijen. Pas dy ditësh në stacion policorë kemi ardhur në vetëdije. Në stacionin policor ka ndërruar jetë, Atulla Qaili. Na kanë dërguar në spital. Unë atje i kam kërkuar ujë infermieres dhe më tha helm nuk të jap e jo më ujë- tregon Mevludin Bajrami- vëllai i viktimave
Viktimat tjera të masakrës së Lubotenit janë: Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Kadri Jashari dhe Bajram Jashari.
Në këtë periudhë në Luboten u dogjën edhe 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua Johan Tarçullovski, ish-pjesëtar i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, ndërsa nga akuza u lirua ish- ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski. Tarçullovski u dënua me 12 vjet burg për vrasje, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por mbeti i lirë pasi vuajti 8 vite burg. Në përbërjen e larguar parlamentare, ai ishte deputet i OBRM-PDUKM-së./Alsat
Mustafa i reagon Kurtit për doracakët, e publikon deklaratën...
Franca ‘gjunjëzon’ Italinë, Belgjika pëson ndaj Izraelit
Sërish protestohet në Novi Sad
Sqarohen Edi dhe Gresa, kush kujt i kërkoi falje?
Rashkaj: UEFA është fajtori kryesor për ofendimet ndaj Kosov...
Opera ‘Goca e Kaçanikut’ do të shfaqet në Tiranë