Google ADS

Përgatitjet e fundit për ardhjen e papës në Shkup, liturgjinë e tij do ta ndjekin rreth 15 mijë vizitorë

18:05 | 24 Prill 2019
Arbresh.info

Papa Françesku meshën do ta mbajë në sheshin “Maqedonia” në ora 11:00 më 7 maj.

Në hapësirën ku do mbahet mesha do mund të futen vetëm qytetarët që kanë siguruar biletë hyrëse nga Kisha Katolike dhe dokument për identifikim edhe atë vetëm në periudhën prej ora 6 deri në ora 9, pas çka hyrja në shesh do të jetë e ndaluar.

Këto janë vetëm një pjesë e hollësive për vizitën historike të Papës në vend që sot i njoftuan kryeministri Zoran Zaev, peshkopi Kiro Stojanov dhe sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kryeministri i vendit Zoran Zaev, tha se vizita e papa Françeskut është nder i madh për vendin tonë dhe për afirmimin e saj në botë, ndërsa shtoi se është edhe në shenjë të shënimit të jubileut – 25 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin.

Ipeshkvi i kishës katolike në vend, monsinjor Kiro Stojanov tha se kjo vizitë është e rëndësishme për inkurajimin e komunitetit të vogël katolik të cilin dëshiron ta inkurajojë në besim, por edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të mira bilaterale mes dy shteteve.

Viktor Dimovski, shef i Trupit koordinues të Qeverisë për organizim të vizitës, informoi se papa do të arrijë në vend më 7 maj me fluturim special në Aeroportin ndërkombëtar Shkup në orën 8:15, ndërkaq në vizitën zyrtare në vend do ta shoqërojë delegacioni 30-anëtarësh.

Ndryshe, pas arritjes në aeroport, papa Françesku në Vilën presidenciale në Vodno do të ketë takime të veçanta me presidentin Gjorge Ivanov dhe familjen e tij. e më pas edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe familjen. Pas këtyre takimeve, ai do të flasë para përfaqësuesve të kreut shtetëror, korit diplomatik dhe të shoqërisë civile.

Për shkak të pranisë së papës, niveli i sigurisë në kryeqytet do të jetë në nivelin më të lartë, ndërsa autobusët e NPQ me qëllim që t’i bartin të gjithë qytetarët e interesuar në ngjarjen e madhe, do të vozisin pa pagesë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme