Google ADS

Për zgjedhjen e presidentit të dielën duhet të votojnë së paku 723.253 qytetarë

14:19 | 3 Maj 2019
Arbresh.info

Të dielën më 5 maj do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Të drejtë vote kanë 1.808.131 votues, të cilët mund të zgjedhin midis dy kandidatëve Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski, të cilët në raundin e parë e fituan numrin më të madh të votave por jo edhe shumicën e nevojshme prej 904.066 vota që të zgjidhet presidenti i Republikës.

Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditësh prej përfundimit të raundit të parë të votimit, në këtë rast më 5 maj. President zgjidhet kandidati i cili ka marrë shumicë votash, nëse në vendvotime kanë dalë më shumë se 40 për qind e votuesve të zgjedhur, gjegjësisht 723.253 votues, që është paraparë me nenin 121, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor.

Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri prej dy kandidatëve nuk e merr numrin e nevojshëm të votave, përsëritet e gjithë procedura zgjedhore. Dalja në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale prej rreth 42 për qind, vetëm i përforcoi akoma më shumë druajtjet se në raundin e dytë mund të mos arrihet censusi ose dalje e qytetarëve prej 40 për qind. Në opinion flitet se nëse ndodh kjo është e mundur të shpallen zgjedhje të reja, të ndryshojë Kushtetuta për zgjedhjen e censusit, ose për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, funksionin do ta kryejë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Sipas ekspertëve kushtetues, në rast të mospasjes së censusit do të duhet të shpallen zgjedhje të reja edhe atë në afat prej 40 ditëve. Ata vlerësojnë se pas përfundimit të mandatit presidencial Gjorge Ivanov në asnjë mënyrë nuk mund ta vazhdojë funksionin.

“Kjo mund të ndodh vetëm nëse ka luftë apo gjendje të jashtëzakonshme në shtet ndërsa kjo është procedurë e ndërlikuar për të cilën nevojitet shumicë prej dy të tretash. Prandaj qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm të sigurohet censusi zgjedhor që nuk është kaq i paaritshëm”, thotë në një deklaratë për MIA-n ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski.

Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, është e domosdoshme nga cilido aspekt, nga ai juridiko-kushtetues, politik apo nga aspekti qytetar, të arrihet censusi dhe të bëhet zgjedhja e presidentit të Republikës.

“Pasi raundi i parë nuk i dha rezultatet e pritshme, tani është e domosdoshme në votimin e fundit të arrihet censusi zgjedhor, që është 40 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve. Nëse vjen deri te më pak e dëshiruara, gjegjësisht të mos sigurohet censusi, kjo do të thotë se zgjedhjet janë të pasuksesshme dhe kryetari i Kuvendit menjëherë duhet të shpallë zgjedhje të reja të cilat duhet të zbatohen në afat prej 40 ditëve nga momenti i shpalljes”, thotë Ivanovski.

Me fjalë të tjera, siç shton, këto afate janë më të shkurtra dhe në aspektin kushtetues janë përcaktuar kur mbi çdo bazë presidentit i ndërpritet mandati.

“Atëherë shkohet në zgjedhjet të cilat duhet të zbatohen në afat prej 40 ditëve. Nëse vjen drejt opsionit të tillë, kjo kushton shtrenjtë. Kjo do të thotë harxhim i parave të popullit, kjo do të thotë se krahas atyre nëntë edhe nëntë milionë euro të tjera të këtij populli të përvuajtur që do të thotë është një tragjedi e madhe. Kjo shkakton edhe krizë politike, nënkuptohet”, thekson Ivanovski.

Sipas tij, më së miri është të bëhet përzgjedhja e presidentit.

“Zgjidhje tjetër është të shkohet në zgjedhje të sërishme, ndërsa e treta edhe pse kjo nuk është zgjidhje është të vijë drejt ndryshimit të Kushtetutës ku do të parashihet zgjedhja eventuale e kryetarit të Kuvendit. Por, kjo nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës, kjo nënkupton një procedurë se fillimisht duhet të përcaktohet nevoja e ndryshimit të Kushtetutës, ndërsa pastaj të shkohet me vendimin për projekt-amendamentet, pastaj përcaktimi që ky vendim të sillet, që do të thotë një periudhë më e gjatë e zgjatjes së kësaj krize, që absolutisht është e papranueshme”, shton Ivanovski.

Që të mos vijë drejt mosplotësimit të censusit ju bëri thirrje qytetarëve në mënyrë masive të dalin në votime.

Për dalje masive bëri thirrje edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai shtoi se nëse nuk arrihet censusi prej 40 për qind më 12 maj ai do të duhet ta ndërmarrë funksionin president i Republikës.

Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, për mandat pesëvjeçar. President i Republikës i njëjti person mund të zgjidhet më së shumti dy herë. Presidenti duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme