Google ADS

Pendarovski: Në rrethana optimale Maqedonia anëtare e NATO-s në vitin 2020

11:58 | 15 Janar 2019
A. B.

Maqedonia dhe Greqia e zgjidhën kontestin me emrin, Marrëveshja e Prespës u ratifikua nga Parlamenti i Maqedonisë, ndërsa javën e kaluar mbështetje morën ndryshimet kushtetuese, të cilat dalin nga marrëveshja.

Tani vëmendja është drejtuar në Athinë dhe hapat e atjeshëm për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas asaj që është planifikuar, së bashku me procesin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO në rrethana optimale, Maqedonia në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm mund të bëhet anëtare e 30-të e Aleancës Veriatlantike.

Koordinatori kombëtar për NATO, Stevo Pendarovski në një deklaratë për AIM thotë se procesi i ratifikimit të protokollit ka karakter rutine dhe zakonisht zgjat rreth një vit.

“Procesi i ratifikimit ka karakter rutine dhe zakonisht zgjatë rreth 12 muaj, pas çka, NATO dërgon ftesë deri te vendi kandidat që të përfshihet drejtë Aleancës. Në rrethana optimale, është logjike që të pritet se Maqedonia do të bëhet anëtare e plotfuqishme në NATO në tremujorin e parë të vitit 2020”, tha Pendarovski.

Greqia paralajmëroi se do të jetë anëtarja e parë e Aleancës e cila do ta nënshkruajë protokollin, pasi që Marrëveshja e Prespës të kalojë në Parlamentin e Maqedonisë, e pastaj pasi që të ratifikohet edhe në atë grek, por kryeministri Alexis Tsipras nesër do të përballet me votimin e besimit të Qeverisë së tij, gjë të cilën vetë e kërkoi, pasi partneri i tij i koalicionit, lideri i “Grekëve të Pavarur” Panos Kammenos, i cili është kundër marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës, e lëshoi koalicionin qeveritar.

“Momenti më i ri në Athinë është kërkesa për besim të qeverisë greke dhe pas kësaj është caktuar procedura për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. Nëse Qeveria në Athinë e fiton besimin, diku në fillim të javës së ardhshme pritet ratifikimi të kalojë me 151 vota prej gjithsej 300 deputetëve në Parlamentin grek. Pastaj, Qeveria greke ka për obligim që ta informojë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg se më nuk ekzistojnë pengesa për hyrje të Maqedonisë në NATO- pas çka do të pasojë nënshkrimi i Protokollit për anëtarësim mes Maqedonisë dhe Aleancës”, theksoi Pendaravoski.

I pyetur që të japë vlerësim për atë se a do të ketë sukses pala greke që ta përmbushë pjesën e saj të Marrëveshjes, duke pasur parasysh situatën e krijuar politike pas daljes së Kamenosit nga koalicioni me Tsipras, Pendarovski thotë se nuk ka burime të informatave, ndërsa për atë se çka po ndodh në Athinë iu referohen informacioneve të cilat deri te ata arrijnë nga qeveria greke./telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme