Pendarovski kritikon gjyqësorin për anulimin e dënimit për Sasho Mijallkovin

20:17 | 17 Dhjetor 2022
E.H

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha të shtunën se është “i tronditur” nga vendimi i Gjykatës së Apelit në Shkup për anulimin e vendimit të Gjykatës Penale, e cila e kishte dënuar me 12 vjet burgim ish-drejtorin e Policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov.

Mijallkov ishte dënuar lidhur për aferën e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga ish-kryetari i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev.

Ish-kreu i Policisë sekrete ishte shpallur fajtor për përgjimin e paligjshëm të mijëra qytetarëve maqedonas, politikanëve, zyrtarëve, gazetarëve, klerikëve, aktivistëve të shoqërisë civile e shumë personave të tjerë, për të cilët dyshonte se ishin kundërshtarë të Qeverisë, që në atë kohë drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin për shkak të siç thuhet “shkeljeve përmbajtjesore të dispozitave të Ligjit mbi procedurën penale”.

Lënda kthehet në rigjykim në Gjykatën Penale të Shkupit.

Presidenti maqedonas ka shkruar në Facebook se vendimi paraqet disfatë për sundimin e ligjit dhe dëshmi për besimin e ulët të qytetarëve në organet e drejtësisë.

“Vendimet e tilla vetëm minojnë besimin e qytetarëve se reformat reale në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë të mundshme”, ka shkruar Pendarovski.

“Sektori i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka nevojë për më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler.

Ka reaguar edhe ish-kryeministri, Zoran Zaev duke e quajtur “skandaloz” vendimin e Gjykatës së Apelit dhe “rrënim të gjithë asaj që është bërë për vendosjen e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut”.

“Cili është vendimi i radhës, Mijallkov të bëhet drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit dhe Nikolla Gruevski të kthehet i pafajshëm me kalë të bardhë? Edhe nëse ne nesër bëhemi anëtarë të BE-së, nuk do të lahet këtë turp”, ka shkruar Zoran Zaev në Facebook.

Afera mbi të cilën është dënuar Sasho Mijallkov me 12 vjet burgim kishte shërbyer si shkas për protesta e tensione të shumta në Maqedoninë e Veriut nga viti 2013 deri në vitin 2016, kur edhe u largua nga pushteti Nikolla Gruevski, tashmë i arratisur në Hungari për shkak të dënimeve me disa vite burgim për shpërdorim të detyrës.

Përveç Mijallkovit, për përgjimet e paligjshme me katër vjet burgim janë dënuar edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe dy zyrtarë tjerë të lartë, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, që të dy me 15 vite burgim.

Anulimi i vendimit nga Gjykata e Apelit vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me kritika të shumta për punën e gjyqësorit dhe praninë e lartë të korrupsionit./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme