Pëfundon procesi gjyqësor për grusht-shtetin në Mal të Zi

14:23 | 29 Mars 2019
Arbresh.info

Procesi gjyqësor për terrorizëm në tentativë në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2016, ka përfunduar të enjten, kurse shqiptimi i dënimeve është paralajmëruar të bëhet me 9 maj.

Në aktakuzën e prokurorisë speciale, janë përfshirë dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vlladimir Popov, shtetasit serbë; Millosh Jovanoviq, Nemanja Ristiq, Predrag Bogiqeviq, Bratisllav Dikiq, Kristina Hristiq, Branka Miliq, Millan Dushiq, Dragan Maksiq dhe Srbolub Gjorgjeviq.

Në të njëjtën aktakuzë janë përfshirë edhe liderët e partive pro-serbe Fronti Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq si dhe shoferi i tyre, Mihaillo Çagjenoviq.

Prokurori special, Sasha Çagjenovia, në përfundim të fjalës përmbyllëse ka kërkuar që Shishmakov dhe Popov të marrin dënimin maksimal, ndërkaq për liderin e partisë pro-serbe, Knezheviq ka propozuar dënim më të lehtë, kurse për Mandiq dhe Çagjenoviq dënime më të ashpra.

Gjykimi për grusht shtet në Mal të Zi filloi në korrik të vitit 2017 dhe u cilësua si “ Gjykim i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit në komplotin e dyshuar.

Autoritetet malazeze pretendojnë se nacionalistët serbë me ata rusë dhe një pjesë e opozitës pro-serbe në Mal të Zi kanë bërë komplot me qëllim të pushtimit të Parlamentit të Malit të Zi në ditën e zgjedhjeve në tetor të vitit 2016 dhe vrasjen e kryeministrit të atëhershëm, Milo Gjukanoviq.

Në këtë kuadër ata kanë planifikuar që të instalojnë një udhëheqje proruse, e cila do të parandalonte anëtarësimin e malit të Zi në NATO

 

Të ngjashme