Partitë në Maqedoninë e Veriut ndodhen para sfidës së rritjes së cilësisë, sa i përket përfaqësimit në kuvend, thonë analistët, teksa subjektet politike në vend po përgatiten për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë caktuar të mbahen më 12 prill.
Partia opozitare, OBRM-PDUKM ka paralajmëruar se në zgjedhjet e 12 prillit, në listën e kandidatëve për deputetë do të ketë figura krejtësisht të reja, përderisa Lidhja Social-Demokrate (LSDM), ka thënë se në listën për deputetë do të ketë përfaqësim të barabartë gjinor, ndonëse një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.
Ndërkaq, partitë shqiptare ende nuk janë deklaruar lidhur me çfarë kuadro do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sefer Selimi nga organizata joqeveritare, “Democracy Lab”, thotë për Radion Evropa e Lirë se është për t’u përshëndetur paralajmërimi i partive politike, që në listat për deputetë do të ketë emra të rinj, përkatësisht profesionistë të dëshmuar në fusha të ndryshme. Po ashtu ai e sheh si hap pozitiv paralajmërimin që në listat për deputetë do të respektohet barazia gjinore. Këto aspekte, sipas tij, do të kontribuonin në ngritjen e cilësisë së debateve në kuvend.
“Megjithatë, është shqetësuese që parlamenti nuk e luan plotësisht rolin e vet. Pra, ky institucion nuk arrin të jetë plotësisht i pavarur në rolin e kontrollimit të qeverisë, duke iu referuar praktikës së mëparshme, ku parlamenti gjithmonë ka mbetur nën hijen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke mos qenë plotësisht kontrollues i politikave të qeverisë”, thotë Selimi.
Ndërkaq, Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se qytetarët gjithnjë e më shumë po ndihen të zhgënjyer nga puna e kuvendit. Sipas tij, kjo dëshmohet edhe nga anketat që janë kryer, ku më shumë se 60 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë pro listave të hapura, pasi që këto mund t’u ofrojnë qytetarëve shansin që të zgjedhin personat që mund të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe jo të mbrojnë politikat e partive që përfaqësojnë.
“Mendoj se partitë e kanë kuptuar që qytetarët preferojnë një parlament me kuadro profesionale dhe partitë dëshirojnë, që duke plotësuar këto kushte, të risin besimin te qytetarët. Qëndrimi im është që përderisa Kodi Zgjedhor nuk pëson ndryshime, përkatësisht të inkorporohet modeli i listave të hapura, përbërja e deputetëve, sa i përket moshës, përgatitjes profesionale dhe pastërtisë, të themi kushtimisht para organeve të drejtësisë, do të vihet gjithmonë në pikëpyetje sepse zgjedhja e tyre varet nga preferencat e kreut të partisë”, thotë Troshanovski.
Njohësit e çështjeve politike, thonë se paralajmërimi i partisë maqedonase, OBRM-PDUKM, se do të kandidojë me emra krejtësisht të rinj, është tentativë e kreut të partisë, Hristijan Mickoski, që të shkëputet nga kuadrot që ishin përfaqësuar në këtë parti, në kohën kur OBRM-PDUKM-ja udhëhiqej nga Nikolla Gruevski.
“Nga njëra anë, përmes figurave krejtësisht të reja në OBRM-PDUKM, Mickoski synon të sigurojë besnikërinë e deputetëve ndaj kreut të partisë dhe në anën tjetër, të shkëputet nga strukturat që kanë çfarëdo lloj lidhjeje me aferat korruptive. Kështu, OBRM-PDUKM-ja synon të hapë një faqe krejtësisht të re sa i përket funksionimit të partisë”, thotë Nenad Markoviq, profesor në Universitetin e Shkupit.
Sipas njohësve të çështjeve politike, te partitë shqiptare, nuk pritet të ketë befasi, sa i përket listave të kandidatëve për deputetë.
“Te partitë politike shqiptare vazhdon heshtja tipike para përplasjeve brenda partive për pozicionet ‘e sigurta’ në listat zgjedhore. Duket që në ato pozicione do të vazhdojnë të jenë figurat kryesore të partisë, të afërt me liderin e partisë dhe në rastet sporadike do të përdoren për propagandë partiake, duke u munduar t’i paraqesin si prurje të reja, gjegjësisht si rifreskim politik”, thotë Sefer Selimi nga “Democracy Lab”.
Ndërkohë, duke komentuar paralajmërimet e LSDM-së se në lista për deputet do të ketë përfaqësim gjinor 50 me 50 për qind dhe përfaqësim të etnive të ndryshme, analistët politikë thonë se me këtë, kjo parti po mëton të fitojë vota tek elektorati shqiptar dhe të bashkësive të tjera etnike./REL
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...