Google ADS

Paralajmërohet shtrenjtimi i bukës

23:06 | 22 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Një pjesë e bujqve në Maqedoninë Veriore, thonë se nuk mbajnë kërkesat e mullisëve për rritjen e çmimeve të bukës. Mullisët thonë se është rritur kostoja e prodhimtarisë, andaj edhe është e paevitueshme rritja e çmimit të bukës dhe parorive të bardha.

Nga Shoqata e Bujqve të Maqedonisë thonë se mullisët kanë blerë afër 260 mijë tonë grurë vendor me një çmim jo të kënaqshëm dhe të ulët prej 10.5 denarë, që duhet të kënaqë nevojat e vendit deri në fund të muajit janar, andaj sipas tyre nuk ka bazë për tu rritur çmimi i bukës. Sipas kryetarit të kësaj shoqate Pero Stojkovski, me një çmim të tillë që është blerë gruri prej as 11 denarë , buka nuk do të duhej të jetë më e shtrenjtë se 20 denarë.

“Duke pasur parasysh standardin e ulët në Maqedoni ne nuk kemi reaguar më shumë në raport me çmimin e ulët grumbullues të grurit në favor të qytetarëve që të blejnë bukë më të lirë. Tani nëse ato kanë pasur për qëllim të shtrenjtojnë bukën dhe prodhimet e tjera, pse na detyruan në interes të tërë vendit që çmimi të jetë 10.5 denarë”, thekson Stojkovski.

Nga ana tjetër, mullisët thonë se shtrenjtimi i bukës do të vjen si rrjedhojë e trendeve globale siç janë shtrenjtimi i grurit në bursat botërore. Agronomët thonë se është fakt se në tërë botën po vërehet rritje e çmimeve të produkteve themelore ushqimore që është konfirmuar edhe nga organizata e OKB-së FAO, që ndikon në mënyrë zinxhirë në tërë botën si rrjedhojë e globalizimit të botës dhe tregjeve të hapura.

“Në rastin tonë çmimi varet si nga shtrenjtimi i pjesshëm i kostos së prodhimtarisë vendore të bukës, ashtu edhe prej çmimeve të importit të grurit prej jashtë dhe atë kryesisht nga Serbia, si dhe prej rezervave me të cilat mund të intervenojë shteti që të stabilizojë çmimin e grurit dhe bukës. Tani kompetentët duhet të dalin me përllogaritje konkrete se sa është reale dhe e qëndrueshme kërkesa për rritje të çmimit, për shkak se siç ndodh në një ekonomi të tregut çdo kush shikon interesin e tij“, thotë eksperti i bujqësisë, Lulzim Fejzullahu. Njëherësh, nuk duhet anashkaluar as fakti se në tërësi kemi edhe rënie apo edhe ngecje të prodhimtarisë bujqësore përfshi edhe prodhimin e grurit si rrjedhojë edhe e ikjes së madhe të të rinjve jashtë shtetit, dhe uljes së interesimit për tu marrë me bujqësi, thekson Fejzullahu. Në ndërkohë, edhe Banka Popullore ka regjistruar rritje të çmimeve mbi parashikimet që pritet të vazhdojë në të ardhmen. “Në raport me ndryshimet e çmimeve konsumatore në muajin korrik është realizuar shkallë vjetore e inflacionit prej 3.4 për qind, ndërsa ndryshimet vjetore të çmimeve për periudhën janar-korrik në mesatare janë 2.5 për qind, pak mbi parashikimet e muajit prill. Lidhur me lëvizjet e pritura të çmimeve importuese, revidimet e fundit tregojnë rritje të çmimeve. Paqartësia lidhur me lëvizjen e çmimeve botërore të prodhimeve primare në periudhën e ardhshme edhe më tej është e theksuar për shkak të efekteve të paqarta ekonomike të lidhura me pandeminë dhe gjasat për të luftuar atë”, thonë nga Banka Popullore.

Analizat e ndryshme tregojnë se prodhimtaria vendore në mesatare prej 240 mijë tonë grurë në vit nuk kënaq nevojat e vendit të këtij prodhimi strategjik për shtetin. Gjithashtu për çdo vit për bujqit në vend një problem i madh është edhe çmimi më lartë i prodhimit se i shitblerjes. Gruri që mbillet në Maqedoninë e Veriut i plotëson me afro 70 për qind nevojat e vendit për bukë. Edhe analizat e ndryshme tregojnë se mungesën e një të tretës së grurit për prodhimin e bukës e kompensojmë me importin nga jashtë.
Apo me fjalë të tjera shënon rritje importi i grurit për bukë nga 44.142 tonë në vitin 2007 në 71.300 tonë në vitin 2018. “Në periudhën 2007-2018, grumbullimi i grurit merkantil, apo grurit për kokë shënon trend të rënies së vazhdueshme, ndërsa po shënohet rritje e importit. Njëherësh, në këtë periudhë importi i grurit merkantil dhe miellit në mesatare ka qenë 110.130 tonë, që paraqet 32 për qind të nevojave të industrisë së miellit”, tregojnë analizat e Odës ekonomike të Maqedonisë.

Gjithashtu për vite me radhë në vend po vazhdojnë debatet për nivelin e cilësisë së grurit vendor që shpesh edhe nuk grumbullohet nga mullisët nën arsyetimin se nuk kënaq cilësinë në raport me grurin nga importi, çmimin minimal grumbullues të grurit me të çilin nuk janë të kënaqur fermerët, shpërndarjen e subvencioneve për fermerët që prodhojnë grurin sipas kilogramit të grurit të dorëzuar në kapacitetet prodhuese dhe jo sipas hektarëve etj.
Në nivel vjetor shteti në periudhën e kaluar ka pasur nevojë për afër 339 mijë tonë grurë, prej të cilave, 280 mijë tonë nevojiten për prodhimin e bukës dhe parodive të bardha, afër 32 mijë tonë nevojiten për materiale të mbjelljes dhe afër 18 mijë tonë shkojnë për rezervat shtetërore. (koha.mk)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme