Pas punonjësve të doganave dhe tatimeve, edhe sektorë të tjerë të administratës publike dhe të shërbimeve të tjera në Maqedoninë e Veriut protestuan për paga më të larta, ndërsa u paralajmërua edhe grevë e përgjithshme, nëse institucionet nuk i marrin parasysh kërkesat e tyre.
Protestat fillimisht janë paralajmëruese, me ndërprerjen e punës nga 30 minuta deri në 2 orë në ditë.
Mirëpo, sipas sindikatave, ato mund të shndërrohen në masive e deri në grevë të përgjithshme.
Rritja e pakënaqësisë pasoi rritjen e pagave të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar duke nisur nga presidenti i shtetit, kryeministri, ministrat, deputetët e drejtorët e ndërmarrjeve dhe anëtarët e bordeve drejtuese.
Ata, nga muaji prill, marrin paga më të larta për 78 për qind, apo prej 900 deri më 1.200 euro më të larta.
“Sigurisht që në periudhën në vijim do të ketë greva dhe protesta. Presionet do të vazhdojnë jo vetëm mbi sektorin publik, por edhe mbi atë privat pasi aty nuk kemi asnjë rritje të pagave, prandaj edhe përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Paga minimale u rrit për 2.000 denarë apo 30 euro, ndërsa paga e zyrtarëve për më shumë se 1.000 euro. Kjo është e padrejtë dhe nënçmuese pasi gjithë kohën flisnin për krizë ekonomike, borxhe, inflacion e gjëra tjera dhe brenda natës i rritën pagat e tyre”, tha Ivan Peshevski, përfaqësues i sindikatës së ndërtimtarisë dhe industrisë.
Ai theksoi se punëtorët në Maqedoninë e Veriut janë në pozitë të palakmueshme pasi me të ardhurat që marrin nuk arrijnë t’i sigurojnë as gjërat elementare për jetë.
“Shporta e konsumatorit ka arritur në gati 50 mijë denarë (800 euro) dhe për t’i siguruar këto të ardhura, nevojitet një pagë minimale dhe një pagë mesatare në një familje katëranëtarëshe për t’i siguruar gjërat më elementarë për jetë. Rritja e çmimeve të produkteve bazë të ushqimit, rritja e shërbimeve komunale, rritja e karburanteve, e energjisë elektrike dhe e nevojave tjera e ka ulur në masë të madhe fuqinë blerëse të punëtorëve”, tha Peshevski.
Grevë të përgjithshme paralajmëruan edhe nga sindikatat e sektorit të shëndetësisë.
“Punëtorët janë të demotivuar kur shohin rritje kaq të madhe të pagave të zyrtarëve shtetërorë. Janë rreth 20.000 të punësuar në shëndetësi që presin rritje të pagave. Ata nuk kanë vullnet për punë kur vërejnë neglizhencën e institucioneve”, u shpreh Lubisha Karanfilovski, kryetar i Sindikatës së pavarur të shëndetësisë, farmacisë dhe mbrojtjes sociale.
Për shkak të pagave të ulëta nga Klinikat e Shkupit, thonë se mjekët dhe personeli tjetër po kalojnë në sektorin privat apo jashtë vendit.
“Le të na thonë se ky shtet social a ka nevojë për shëndetësinë publike, ku 90 për qind e popullatës trajtohet nëpër klinika dhe qendra tjera shëndetësore publike, apo ata duhet të shkojnë në spitale private?! Çdo ditë kemi mjekë, infermierë dhe personel tjetër mjekësor që po i braktisin vendet e punës për shkak të pagave të ulëta”, deklaroi Predrag Serafimovski, nga Sindikata e klinikave të Shkupit.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, thonë se zgjidhja me pagat qëndron në “marrëveshjet kolektive”, që duhet të arrihen në çdo sektor, por pa saktësuar se çfarë parasheh kjo formë dhe sa mund të ketë rritje të pagave.
Paga minimale në Maqedoninë e Veriut në muajin mars është rritur në 20.175 denarë (330 euro), ndërsa paga mesatare në 33.943 denarë (550 euro). Në muajin mars inflacioni ishte 14.7 për qind, apo për 2 më pak i ulët se në muajin shkurt.
Abil Baush, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se institucionet duhet të veprojnë me urgjencë, njëjtë sikur në rastin e tyre, kur i rritën pagat në masën deri 78 për qind.
“Kjo metodologjia, të cilën e përmendin në çdo periudhë kohore mendoj se i ka kaluar afati kohor, pasi në qoftë se duam të kemi një rehati në sektorin publik, atëherë metodologjia e re për pagat duhet të miratohet sa më shpejt. Normalisht, jo vetëm të rriten pagat, por edhe të përmirësohen kushtet për të punësuarit në sektorin publik”, thotë Baush.
Maqedonia e Veriut, me rreth 1.8 milion banorë, sipas të dhënave të Entit të Statistikës, në administratën publike ka të punësuar më shumë se 130.000 persona, ndërsa afër 350.000 mijë në sektorin privat./REL
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...