Pandemia vë në pah nevojën për reforma në arsim në Maqedoninë e Veriut

23:17 | 13 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Gjatë pushimeve verore të nxënësve në Maqedoninë e Veriut, dikasteri i arsimit duhet të punojë për të eliminuar shumë mangësi që e kanë përcjellë mësimin online, theksojnë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, pasi siç shtojnë, askush nuk mund të japë garanci se koronavirusi do të zhduket dhe në shtator.

Rreth 270 mijë nxënës të shkollave fillore dhe ata në shkollat e mesme, lamtumirën e fundit për vitin shkollor 2019 – 2020 e kanë thënë online, pasi me vendim të qeverisë, më 11 mars të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme u mbyllën si rrjedhojë e pandemisë së koronavirusit, dhe mësimi nga klasa u zhvendos në platformat digjitale.

Satki Ismaili, arsimtar i një shkolle fillore nga Tetova, i cili është pjesë e ekipit të Ministrisë së Arsimit për inkorporimin e mësimit online në shkollat fillore dhe ato të mesme në Maqedoninë e Veriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se më problematike paraqiten divergjencat për sa i përket cilësisë së mësimdhënies, varësisht shkathtësive digjitale me të cilat disponojnë mësimdhënësit, pajisjet digjitale për të realizuar punën dhe një platformë e unifikuar për të gjitha shkollat.

“Kjo koha e pandemisë së koronavirusit na mësoi të gjithë neve se nevojitet ndryshim i realizimit e procesit arsimor. Krahas asaj që ne dëshirojmë që nxënësit t`i kemi gjithmonë aty afër, mundësitë janë të tilla që nxënësit jo gjithmonë mund të jenë në klasë, për shkak të sëmundjeve të ndryshme, ose sic kemi rastin tani situatave të jashtëzakonshme, koha imponon që të gjithë si nxënësit ashtu dhe arsimtarët të kenë shkathtësi digjitale për mësim në distancë“.

“Duket se për këtë u vetëdijesua edhe Ministria e Arsimit e cila filloi të bëjë dhe veprime konkrete përmes mësimit në kanalin publik televiziv, por sa kjo ishte efektive do ta dëshmoj koha”, thekson Ismaili.

Ai gjithashtu bën të ditur se arsimtarët e kanë pasur shumë vështirë realizmin e orëve mësimore për shkak të mungesës së një platforme të unifikuar digjitale apo aplikacioneve të veçanta për mësim online që do të jenë të aplikueshme për të gjitha shkollat në mënyrë të barabartë dhe veçanërisht shton ai, kujdes duhet kushtuar sigurisë së nxënësve gjatë përdorimit të platformave digjitale.

Çështje shumë problematike mbetet dhe përfshirja e të gjithë nxënësve në procesin e arsimit online për shkak se të dhënat flasin se një numër shumë i madh kanë mbetur jashtë procesit mësimor online sepse nuk kanë qenë të pajisur me mjete digjitale në mungesë të kushteve ekonomike.

“Mësuesit ishin shumë të përkushtuara, për tu dalë në ndihmë nxënësve. Por, fëmijët e vegjël të klasave të ulëta është vështirë ti mbani gjatë kohë të përqendruar. Tekstet shkollore janë të hartuara për mësimdhënie klasike, tash gjithçka duhet të pësojë ndryshim nëse duam të jetë funksionale mësimi online”, thotë Ivona, nënë e një djali që sapo ka përfunduar klasën e katërt.

Nga dikasteri i arsimit janë zotuar se do të punojnë me intensitet përmes grupeve punuese të ekspertëve për të eliminuar çdo mangësi për sa i përket mësimit online nëse në shtator nuk mund të aplikohet mësimi i rregullt.

Pandemia e koronavirusit ka imponuar anulimin e maturës shtetërore dhe provimit përfundimtar për shkollat e mesme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme