Pandemia ia vuri drynin 900 dyqaneve

00:28 | 31 Mars 2021
Trina Galanxhi

Të dhënat e Agjencisë së Kadastrës tregojnë se pandemia ka zvogëluar me një të katërtën objektet e lëshuara me qira në raport me vitet e para pandemisë.

Apo e shprehur në shifra – në vitin 2020 janë lëshuar 900 dyqane apo hapësira afariste më pak në raport me vitin 2019. “Shumë dyqane janë mbyllur për shkak të pandemisë për shkak se nuk ka punë, ndërsa edhe ata që që janë hapur, po punojmë me vështirësi të mëdha”, ankohen tregtarët.

Efektet e shkaktuara nga pandemia në ekonominë vendore po ndikojnë edhe ndaj aktivitetit të bizneseve të vogla. Dëmet që ka shkaktuar pandemia kanë ulur qarkullimin, si dhe kanë bërë që pronarët t’i nxjerrin sërish me qira ambientet e tyre. Jo vetëm në Shkup, por në tërë vendin mund të vërehen mbishkrime të shumta “Dyqani jepet me qira”. Ata tregtarë, të cilët po e vijojnë ende punën, thonë se qarkullimi ditor është i pamjaftueshëm, pasi njerëzit nuk po shpenzojnë për të blerë veshmbathje, këpucë… Kontabilistët shtojnë se një pjesë e dyqaneve, në rast se në vitin 2019 kanë qenë buzë mbijetesës dhe punës me pak fitime, tani me masat shtrënguese, ulja e punës dhe qarkullimit është tepër e theksuar. E gjithë kjo si pasojë e kursimit të qytetarëve të frikësuar nga kriza, ndërsa harxhojnë edhe më pak se më parë, shkruan gazeta KOHA.

“Edhe para fillimit të pandemisë, nuk është se kemi pasur ndonjë xhiro dhe punë të madhe, por vetëm kemi mbijetuar muajin duke nxjerrë harxhimet dhe siguruar mbijetesën për familjen. Por tani, më shumë dyqane janë mbyllur për shkak të pandemisë për shkak se nuk ka punë, ndërsa edhe ata që që janë hapur, po punojmë me vështirësi të mëdha. Kanë ulur koston e punës, si dhe kanë përgjysmuar hapësirën e lokalit ku punojnë…”, thotë tregtarët. Tregtarë tregojnë se ka ditë që puna shkon jashtëzakonisht dobët, ndërsa ditët tjera punojnë vetëm për shpenzimet dhe me vështirësi të madhe nxjerrin një rrogë. Në ndërkohë, edhe të dhënat zyrtare udhëzojnë për mbylljen e më shumë bizneseve të vogla apo për uljen e numrit të qytetarëve të vetëpunësuar. Të dhënat e Agjencisë së Kadastrës tregojnë se pandemia ka zvogëluar me një të katërtën objektet e lëshuara me qira në raport me vitet e para pandemisë. Apo e shprehur në shifra – në vitin 2020 janë lëshuar 900 dyqane apo hapësira afariste në raport me vitin 2019.

Njëherësh, në disa nga qendrat tregtare në Shkup, mund të vërehen shumë biznese që kanë qenë të detyruar të ulin në mënyrë drastike çmimin e mallrave, për të siguruar të paktën pagesën e qerasë dhe një pagë mesatare – në mos fitim më të madh. Të shumta janë dyqanet me mbishkrimet “likuidim total i mallit”, ulje përfundimtare prej 99, 139 apo 199 denarë e kështu me radhë, apo ulje me 50 deri 70 për qind të mallit. Një punëtore në një dyqan këpucësh thotë se janë të detyruar të ulin çmimet për shkak se vetëm nëpërmjet uljeve – kanë arritur të sigurojnë një qarkullim për të thënë që disi rimëkëmbur punën e tyre.

“Njerëzit jo vetëm që kanë frikë të frekuentojnë dyqanet nga frika e infektimit, por kanë ulur edhe më shumë kërkesën për blerje të artikujve, gjë që ndikon në uljen e qarkullimit. Po bëhet viti i dytë që nuk po mund të llogarisim as në xhiron e maturantëve, as në dasmat dhe ahengjet familjare, e të mos flasim për ardhjen e kurbetçinjve që vinin nga tërë Maqedonia për të blerë veshje”, thotë një tjetër pronar i dyqanit të tekstileve në Shkup. Pronarë e dyqaneve thonë se janë lodhur nga e gjithë kjo situatë, për shkak se kaloi një vit i pandemisë dhe kësaj krize ekonomike, dhe shëndetësore, nuk po i shikohet fundi. Shpresojnë se së paku vera që vjen – do të jetë më optimiste dhe me bereqet për biznesin e tyre, pas paralajmërimeve për vaksinimin më të madh në BE dhe Ballkanin Perëndimor.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme