Google ADS

Pa fond për efikasitetit energjetik dhe investimeve, nuk do të ketë ulje të ndotjes së ajrit në RMV

09:08 | 13 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Qeveria e Maqedonisë nga viti i ardhshëm duhet të fillojë të përdorë një kredi të Bankës Botërore prej 25 milionë euro, me të cilin planifikohet që, deri në vitin 2025, të riparohen rreth 100 ndërtesa publike në nivel lokal dhe qendror përmes zbatimit të masave për efikasitet energjetik. Ministria e financave tha për “Meta.mk” se përmes projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik mund të zvogëlohet ndjeshëm ndotja e ajrit në qytete në të gjithë vendin.

Deri tani janë bërë vlerësime paraprake se sa emetime të dëmshme do të zvogëlohen pasi të përfundojë i gjithë investimi përmes kësaj kredie. Kështu, objektet publike pas riparimit duhet të zvogëlojnë emetimin e grimcave PM 2.5 me 69.866 ton, ndërsa emetimet e CO2 përmes realizimit të projektit do të zvogëloheshin me 234.919 ton ekuivalent të CO2.

“Shifra do të varet nga rezultatet e auditimeve energjetike të kryera në objektet e propozuara, të cilat do të duhet të identifikojnë masat më efikase për efikasitet energjetik për secilin objekt”, theksojnë nga Ministria e financave.

Përmes kredisë nga Banka Botërore do të përfshihen objekte të cilat janë nën ombrellën e Ministrisë së shëndetësisë, si dhe ndërtesa në pronësi të qeverive lokale në të gjithë vendin. Projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik do të jetë pararendës për krijimin e një Fondi të ardhshëm për efikasitet energjetik, i cili duhet të intensifikojë investimet në uljen e konsumit të energjisë në objekte.

Përveç riparimit të rreth 100 ndërtesave, parashihet që nga kredia e Bankës Botërore të ndahen 5 milionë euro për të ngritur Fond për efikasitet energjetik. Ky kapital fillestar do të përdoret për të kompensuar kostot e stafit të ardhshëm, marketingut dhe auditimeve të parashikuara energjetike, projekteve dhe investimeve në objektet për të cilat do të realizoheshin punimet fillimisht. Fondi kombëtar për efikasitet energjetik do të themelohet në Bankën e Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut.

Si parakusht kryesor për krijimin e një fondi të tillë, është e nevojshme që Kuvendi të miratojë Projektligjin për efikasitet energjetik. Pikërisht neni 30 e përmban dispozitën për krijimin e një Fondi kombëtar, përmes të cilit do të bëheshin investime në masa për të ulur konsumin e energjisë e kështu edhe të ndotjes së ajrit në vend.

Leximi i parë i projektligjit për efikasitet energjetik është përfshirë në rendin e ditës të seancës sotme, e 123-ta, të Kuvendit të RMV-së, por është futur vetëm si pika e 67 për debat. Duke pasur parasysh detyrat e shumta që ligjvënësit e Maqedonisë duhet t’i kryejnë para shpërbërjes së Kuvendit, pyetja është vallë procedura e plotë për miratimin e këtij ligji do të përfundojë nga kjo përbërje parlamentare para zgjedhjeve.

Maqedonia është në fund të Evropës, si në aspektin e mungesës së Ligjit për efikasitet energjetik, ashtu edhe në pjesën e mungesës së Fondit kombëtar për efikasitet energjetik, përmes të cilit do të realizoheshin pjesa më e madhe e investimeve për të zvogëluar konsumin e energjisë në objekte./portalb.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme