Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot realizoi vizitë pune në Republikën e Bullgarisë, gjatë së cilës u takua me kryeministrin bullgar Bojko Borisov dhe zëvendëskryeministren për Reformë në Drejtësi si dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zakharieva.
Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve dhe progresi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.
“Ne jemi në prag të realizimit të bashkë-kryesimit tonë me Procesin e Berlinit, një nga nismat më të rëndësishme rajonale për ndërlidhje ekonomike, infrastrukturore dhe politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm pas disa ditëve, fillon seria e takimeve Ministrore të Punëve të Brendshme, të Shëndetësisë, të Ekonomisë, të cilat pres që të japin fryte dhe të kurorëzohen me një Samit jashtëzakonisht të suksesshëm këtu në Sofje më 10 nëntor. Një samit që nga natyra e tij është historik sepse për herë të parë udhëhiqet nga një vend anëtar i BE-së, Bullgaria, dhe një vend kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut”, tha Osmani.
Dy bashkëbiseduesit, duke rikonfirmuar se perspektiva evropiane është garancë e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, i përshëndetën angazhimet nën Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit, si dhe bashkëpunimin e përgjithshëm midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Ne kemi një Marrëveshje për Miqësi që na obligon edhe në bashkëpunim politik edhe në bashkëpunim të ekspertëve. Vetëm përmes një qasjeje të hapur, të sinqertë dhe pozitive në përballjen e fakteve historike me realitetin e sotëm, ne mund t’i kapërcejmë dallimet dhe të identifikojmë pikat e përbashkëta që na lidhin”, tha Osmani.
Në veçanti u përshëndet bashkëpunimi midis Ministrive të Mbrojtjes dhe strukturave të tjera të sigurisë, tani si aleatë në NATO, që kontribuon dhe paraqet vlerë të shtuar për stabilitetin e rajonit, por edhe të Evropës në tërësi.
Lidhur me punën e Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore, ata shprehën kënaqësi për takimin e tyre të ardhshëm gjatë mesit të këtij muaji dhe inkurajuan anëtarët e Komisionit të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim dhe të sigurojnë rezultatet e duhura.
Ministri Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e përgjithshëm të deritanishëm të Bullgarisë për të avancuar agjendën evropiane të rajonit, me këtë edhe progresin tonë drejt Unionit, në pritje të mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare deri në fund të vitit dhe përfundimisht të fillojnë formalisht negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Ministrat gjithashtu rishikuan progresin në lidhjen infrastrukturore midis dy vendeve dhe mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar, zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, si dhe bashkëpunimin në shëndetësi, arsim, kulturë, mbrojtje, siguri dhe të gjitha fushat e tjera të cilat shënojnë rezultatet./Telegrafi/
Ministria e Shëndetësisë organizon tryezë diskutimi me rasti...
I bënë atentat pranë shtëpisë, ndërron jetën biznesmeni në T...
MKRS-ja sot ndan çmimet për Dramën Origjinale Shqipe
KQZ mban mbledhjen e radhës
Përvetësim fondesh- Prokuroria kërkon 5 vite burg për Marine...
Arioni-Dianës: Askujt i besoj këtu përveç teje