Osmani: Njoftimi i Presidentit Michel se BE duhet të përgatitet për zgjerim deri me 2030 jep shpresë të re

13:08 | 3 Shtator 2023
E.H

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka publikuar një kolumnë rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se njoftimi i Presidentit Michel se BE duhet të përgatitet për zgjerim deri me 2030 jep shpresë të re.

Ai ka shkruar se për vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, rruga drejt anëtarësimit në BE shpesh duket si një punë prej “Sizifi, e gjatë, e paparashikueshme dhe përplot me pengesa të panumërta”.

“Duket sikur caku final vazhdimisht po lëviz, e ndërkohë prej këtyre vendeve po kërkohen kompromise të dhimbshme pa pothuajse asnjë shpërblim të prekshëm deri në fund. Efektet më së shumti i ndjejnë qytetarët e tyre. Të mbetur në dhomën e pritjes para dyerve të BE-së, ata zhgënjehen, gjë që i bën lehtë subjekt të ndikimeve malinje dhe agjendave anti-BE. Në mënyrë të ngjashme, BE-ja po ballafaqohet me paradoksin e frikës së saj: frikën e integrimit të anëtarëve të rinj, së bashku me frikën e humbjes së këtyre shteteve nga sfera e saj e ndikimit dhe implikimet gjeopolitike pasuese”, ka shkruar Osmani.

Mirëpo, ai shkruan se shpresa shfaqet në formën e një paradigme të re: “Integrimi përpara anëtarësimit”.

“Në vend të procesit të anëtarësimit binar, kjo qasje e rishikuar, u lejon vendeve kandidate të fillojnë t’i përjetojnë gradualisht përfitimet e integrimit, duke u bazuar në përmbushjen e kritereve të caktuara, por shumë kohë përpara se të fitojnë statusin e anëtarësimit të plotë. Ky tranzicion do të thotë se kandidatët mund t’i ndjejnë përfitimet fillestare nga sistemet ekonomike, sociale dhe politike të BE-së dhe të kontribuojnë përpara se të zyrtarizohet anëtarësimi”, ka shkruar kryediplomati.

Kolumna e plotë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani :

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht në raport me Ballkanin Perëndimor, dekada me radhë ka qenë subjekt i retorikës së fuqishme, i premtimeve dhe i zhgënjimeve.

Për shumicën, zhgënjimet rrjedhin nga aderimi i ngadalshëm shumëvjeçar në BE, që thjeshtësuar mund të shprehet me moton “gjithçka ose asgjë”. Që do të thotë se, gjatë kësaj rruge të gjatê duhet t’i plotësojmë të gjitha kriteret dhe deri atëherë nuk do të ndjejmë shumë benefite për vendin. Kjo paradigmë “gjithçka ose asgjë” u ofron pak ngushëllim atyre shteteve që kalojnë vite, madje dekada, me sytë e tyre drejt anëtarësimit, duke kryer punën e mundimshme, por duke mos i ndjerë përfitimet der në fund. Prandaj, kjo qasje duhet të ndryshohet në një aderim gradual dhe progresiv në BE, në mënyrë që të mundësohet që progresi i një vendi të marrë shpërblimin e merituar menjëherë.

Për vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, rruga drejt anëtarësimit në BE shpesh duket si një punë prej Sizifi: e gjatë, e paparashikueshme dhe përplot me pengesa të panumërta. Duket sikur caku final vazhdimisht po lëviz, e ndërkohë prej këtyre vendeve po kërkohen kompromise të dhimbshme pa pothuajse asnjë shpërblim të prekshëm deri në fund. Efektet më së shumti i ndjejnë qytetarët e tyre. Të mbetur në dhomën e pritjes para dyerve të BE-së, ata zhgënjehen, gjë që i bën lehtë subjekt të ndikimeve malinje dhe agjendave anti-BE. Në mënyrë të ngjashme, BE-ja po ballafaqohet me paradoksin e frikës së saj: frikën e integrimit të anëtarëve të rinj, së bashku me frikën e humbjes së këtyre shteteve nga sfera e saj e ndikimit dhe implikimet gjeopolitike pasuese.

Megjithatë, shpresa shfaqet në formën e një paradigme të re: “Integrimi përpara anëtarësimit”.

Në vend të procesit të anëtarësimit binar, kjo qasje e rishikuar, u lejon vendeve kandidate të fillojnë t’i përjetojnë gradualisht përfitimet e integrimit, duke u bazuar në përmbushjen e kritereve të caktuara, por shumë kohë përpara se të fitojnë statusin e anëtarësimit të plotë. Ky tranzicion do të thotë se kandidatët mund t’i ndjejnë përfitimet fillestare nga sistemet ekonomike, sociale dhe politike të BE-së dhe të kontribuojnë përpara se të zyrtarizohet anëtarësimi.

Për Ballkanin Perëndimor, një qasje e tillë ofron përfitime të shumëfishta:

* Përfitim konkret me efekt të menjëhershëm: duke shijuar përfitimet e integrimit përpara anëtarësimit formal, qasja në fonde, lëvizshmëria, qasja në tregun e BE-së, etj. do të ul zhgënjimin tek qytetarët dhe do të jetë një mbrojtje më e fortë ndaj ndikimeve të jashtme me shenjë anti-BE.

* Stimulimi politik: Liderët politikë mund t’i dëshmojnë rezultatet e prekshme gjatë mandatit të tyre, duke siguruar harmonizim të qëndrueshëm me standardet e BE-së.

* Ndërtimi i besimit: Qasja në faza lejon një integrim më të natyrshëm, duke i lejuar BE-së dhe vendeve kandidate të krijojnë lidhje më të thella besimi.

Për BE-në, një qasje e tillë ofron:

*Reduktim të rrezikut: Aftësi për vlerësim progresiv të harmonizimit dhe të përkushtimit të shteteve kandidate.

* Efikasitet operacional: nuk e rëndon në mënyrë shtesë funksionalitetin e BE-së në kushtet e një besimi ende të pandërtuar plotësisht.

Një parakusht kryesor i kësaj paradigme është që të mos jetë një alternativë e anëtarësimit të plotë. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk meritojnë asgjë më pak. Zhvillimet e fundit i japin peshë kësaj perspektive. Njoftimi i Presidentit të Këshillit Evropian në Bled të Sllovenisë ku thuhet se BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim deri në vitin 2030, jep shpresë të re.

Ai thekson se kjo qasje e rishikuar nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një proces shpërblyes përgjatë rrugës drejt BE-së. Në thelb, zhvendosja e fokusit nga anëtarësimi përfundimtar në procesin e vazhdueshëm të integrimit është një zgjidhje e favorshme ëin-ëin. Ai është në favor të një procesi me qasje të papengueshme, më të dobishme dhe më pak frustruese për të giithë të përfshirët.

Të ballafaquar me realitetin e ndryshueshëm gjeopolitik, me theks të veçantë mbi agresionin brutal kundër Ukrainës, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë në një moment kritik. “Integrimi para anëtarësimit” nuk është thjesht një alternativë; është një domosdoshmëri, duke siguruar që BE-ja të mbetet gjithëpërfshirëse, e begatë dhe, mbi të gjitha, e bashkuar në diversitetin e saj. Dhe, kur BE-ja thotë se duhet reformuar, nuk duhet kuptuar këtë si krijim të pengesave të reja për zgjerim, por përkundrazi – krijim të kushteve që do t’i mundësojnë që së shpejti të na kenë anëtarë të rinj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme