Google ADS

Osmani nesër në vizitë pune në Greqi

11:22 | 13 Janar 2021
V. S.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani nesër do të realizojë vizitë pune në Greqi, me ftesë të homologut të tij, ministrit të Punëve të Jashtme, Nikollaos Dendias.

Në takimin midis dy ministrave, siç njoftoi MPJ, do të hapen tema në lidhje me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, intensifikimi dhe thellimi i dialogut politik në fusha të ndryshme, si dhe Plani Aksionar për bashkëpunim dhe implementim të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik (Prespa).

Është paraparë nënshkrimi i disa dokumenteve ndërkombëtare me të cilat në mënyrë shtesë do të begatohet Korniza e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.

Në agjendën e ministrit në kuadër të vizitës në Greqi është paraparë edhe takim me kryetaren e Republikës Helene, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin Kiriakos Mitsotakis dhe ministrin alternativ për Çështje Evropiane, Miltiadis Varvitsiotis.

Në kuadër të takimeve do të hapen tema për avancimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet dy vendeve, prioriteteve strategjike për lidhjen me gas dhe derivate, si dhe pjesëmarrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut në terminalin e gazit “Aleksandropolis” në Greqi, qëndron në kumtesën e MPJ-së.

Është paraparë që të bisedohet edhe për aktualitetet politike në rajon dhe bashkëpunimin rajonal, veçanërisht për perspektivën e tij evropiane dhe euroatlantike dhe mbështetjen që Greqia ia jep Maqedonisë së Veriut në këtë kontekst.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme