Google ADS

Osmani: “Marrëveshja e Prespës”, do të zgjidhë shumë mosmarrëveshje

20:22 | 30 Prill 2019
Arbresh.info

Morën lëvdata për Marrëveshjen e Prespës si shembull i mirë i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, por delegacioni i kryesuar nga Kryeministri Zoran Zaev u kthye nga Samiti i Berlinit pa premtimin e sigurt se qershori do të jetë muaji kur do të marrim datë për fillim të negociatave aderuese. Fjalën “qershor”, kryeministri tashmë e ka zëvendësuar me fjalën “verë”.

“Porositëm se stabiliteti dhe reformat që i bëjmë, patjetër të kuptohen si argumente serioze për vendim pozitiv nga ana e BE-së për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut gjatë verës”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ndonëse zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk ishte temë e Samitit, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani, tregoi se në takimet bilaterale kanë folur edhe për çështjen e marrjes së datës. Pas progres raportit pozitiv të Komisionit Evropian, Osmani shpreson që qershori do të jetë vendimtar, si muaj i domosdoshëm për të ruajtur atmosferën pozitive në rajon. Pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ai thotë se për të ruajtur kredibilitetin e tyre, shtetet anëtare duhet të mbajnë premtimet.

“Unë mendoj se nëse hiqet qershori, ose ky vit për fillim bisedimeve, mund të kolaobon i gjithë procesi, përfshirë këtu edhe Prespa, përfshirë edhe dinamika e reformave, përfshirë edhe marrëdhëniet ndëretnike. Prandaj është me shumë rëndësi që vendet anëtare të jenë konsekuente në marrëveshjen që kemi bërë se nëse ne realizojmë detyrimet tona, edhe Bashkimi Evropian do të realizojë detyrimet e veta, sepse mbi këtë parim bazohet kredibiliteti i unionit”, u shpreh zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Osmani tregoi se kancelajra Merkel i ka rekomanduar delegacionit të Maqedonisë që të bisedojnë me deputetët e Bundestagut gjerman, që edhe përkundër kohës së kufizuar, t’i bindin ata se do të duhet të gjejnë hapësirë në agjendën e tyre, për ta shqyrtuar raportin e progresit që do të publikohen në fund të majit.

Por nëse Gjermania përbën pengesë teknike për Maqedoninë e Veriut, si i bëhet me Francën që është skeptike për zgjerimin e BE-së?

“Unë jam optimist që Franca dhe Holanda nuk do të jenë penguesit e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim. Një variant hipotetik, që për momentin është vetëm hipotetik, është nëse dyja vendet vlerësohen bashkërisht, Shqipëria dhe Maqedonia, dhe po që se cilido vend anëtar ka ndonjë hezitim për njërin prej vendeve, atëherë vendi tjetër mund të jetë dëm kolateral i bashkimit të paketave, mirëpo unë mendoj se vlerësimi duhet të jetë individual”, tha Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Duke komentuar vendimin e Francës për përpilimin e strategjisë së saj për Ballkanin perëndimor, Osmani tha se kjo strategji vjen pas një analize ndërinstitucionale në Paris, e nga e cila është konkluduar se Franca nuk është e pranishme sa duhet në Ballkan. Andaj zëvendëskryeministri këtë e sheh si rikthim të fokusit në Ballkan e do të jetë në favor të shteteve joanëtare./Tv21/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme