Google ADS

Osmani: Maqedonia është shembull në Ballkan se si të ndërtohet demokraci multietnike

13:33 | 29 Tetor 2019
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani në llogarinë para deputetëve në Komisionin parlamentar për çështje evropiane e ka vlerësuar si padrejtësi të madhe dhe gabim historik vendimin e Këshillit Evropian të mos i ndajë vendit datë për fillim të negociatave.

Në Komisionin për çështje evropiane sot u mbajt seancë tematike kushtuar proceseve eurointegruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut pas Samitit të fundit të Këshillit Evropian ku është anuluar fillimi i negociatave për inkuadrim të vendit në BE.

“Me vendimin e Këshillit Evropian nga qershori 2018 e kemi filluar skriningun shpjegues që është i detyrueshëm para fillimit të negociatave. Të gjitha këto ngjarje na kanë inkurajuar se do të marrim datë, por kjo seancë nuk është ftuar që të urojmë. Të mos kemi dilema, pamundësia e Këshillit Evropian të mos sjell vendim dhe të mos arrihet konsensus është padrejtësi dhe gabim historik”, ka thënë Osmani. Pa dallim të gjendjes aktuale Republika e Maqedonisë së Veriut është përnjëmend shembull në Ballkan se si të ndërtohet demokraci multietnike funksionale me respektimin e parimeve evropiane të barazisë, solidaritetit, kompromiseve, vend që rrallë kush mund të lavdërohet se në mënyrë të rregullt i ka mbyllur të gjitha çështjet e hapura politike, pavarësisht nëse marrëdhëniet me fqinjët ose marrëdhëniet e brendshme mes bashkësive të ndryshme etnike, mes tërësive politike, sociale ose shoqërore”, ka thënë Osmani, përcjell KOHA.

Në këtë drejtim ai ka potencuar se ftesa për anëtarësim në NATO, por edhe ratifikimi nga shtetet anëtare të aleancës e cila zhvillohet gjatë gjithë kësaj periudhe, paraqet porosi të qartë nga miqtë evropian dhe botëror se Maqedonia e Veriut është në rrugë të duhur dhe se paraqet pjesë të familjes së shteteve perëndimore dhe se me të drejtë shpreson në anëtarësim në të gjitha organizatat multilaterale që bien në civilizimin perëndimor.

Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov para deputetëve është kthyer edhe në çështjen se ku qëndron përgjegjësia për vendimin e fundit të Këshillit Evropian.

Ai ka theksuar se Maqedonia në vitin 2001 ka qenë në grupin me Kroacinë, ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në 2005, ndërsa në 2009 e ka marrë rekomandimin e parë për fillim të negociatave.

“Por për fat të keq në tetor nuk kishte vendim të qartë dhe thelbësor nga Këshilli”, ka thënë Dimitrov dhe ka cituar presidentin francez Emanuel Makron pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Tulluz, sipas së cilës tani në BE janë dilemat rreth çështjes së zgjerimit.

Ai ka rikujtuar në deklaratat e Hanit, Junkerit dhe Tuskut të cilët kanë vlerësuar se mosndarja e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë është hap i gabuar dhe gabim historik.

“Ne jemi rajon që kufizohet me shtetet- anëtare të BE-së. Nuk mundet Unioni të jetë i fortë dhe stabil, nëse ky rajon nuk bëhet pjesë esenciale e Evropës”, ka thënë Dimitrov dhe ka shprehur keqardhje që tani në BE nuk ka aq energji të fortë politike për zgjerim.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së para se të fillojë fjalimi i Osmanit dhe Dimitrovit e kanë braktisur seancën e Komisionit pasi deputeti Antonio Milloshoski vlerësoi se seanca e sotme e Komisionit është argëtim qeveritar.

Ai ka ftuar në debat për këtë temë nesër në Komisionin për punë të jashtme dhe ka ftuar atje të vjen ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.

Në seancë kanë qenë të ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit, përfaqësues të korit diplomatik si dhe përfaqësues të sektorit qeveritar dhe joqeveritare, bashkësia akademike, mediat dhe tjera./koha.mk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme