Osmani dhe Dimitrov në takim me komisionerin evropian: E rëndësishme është sa më shpejt të sigurohen vaksina për rajonin

18:05 | 25 Janar 2021
Arbresh.info

Zv.kryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, sot në Komisionin Evropian realizuan takim me Komisionerin Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič.

Siç njoftojnë nga Qeveria, Dimitrov dhe Osmani shprehën falënderim për ndihmën e siguruar përmes mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së, i cili ishte i aktivizuar shpejtë pas shpalljes së pandemisë të shkaktuar nga koronavirusi. Në këtë kontekst, ata e theksuan solidaritetin si faktor kyç në ballafaqimin me krizën shëndetësore, por edhe me atë socio-ekonomike, marr parasysh se mekanizmat e BE-së të cilat ishin paraprakisht në dispozicion ekskluzivisht për vendet e BE-së, u bënë të qasshme edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata theksuan rëndësinë e BE që sa më shpejtë që të jetë e mundur të sigurohen vaksina për rajonin, për të cilat tashmë janë ndarë 70 milion euro. U konstatua se kjo është në përputhje me deklaratën e udhëheqësve të BE-së në Samitin e mbajtur më 21 janar të këtij viti, me të cilën e riafirmuan solidaritetin dhe u zotuan të sigurojnë mbështetje efektive për rajonin sa më shpejt të jetë e mundur.

“Dimitrov dhe Osmani informuan Komisionerin e BE-së Lenarčič për situatën në Maqedoninë e Veriut në raport me krizën, diskutuan për ndarjen e rregullt të të dhënave epidemiologjike me Qendrën Evropiane të Koordinimit të Emergjencave, për të cilën u shpreh mirënjohje autoriteteve shëndetësore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa u theksua edhe pjesëmarrja e rregullt e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në takimet koordinuese të organizuara nga Komisioni Evropian, sipas të cilave rekomandime edhe veprojnë”.

“Në raport me donacionet e deritanishme nga vendet anëtare, pikërisht përmes mekanizmit të BE-së për Mbrojtje Civile, që është nën kompetencë të drejtpërdrejt të Komisionerit Lenarčič, u siguruan pajisjet mbrojtëse dhe mjekësore për Maqedoninë e Veriut, edhe atë nga Çekia, Austria, Sllovakia, Estonia, Romania dhe Gjermania, ndërkaq Suedia dërgoi punëtorë mjekësor për t’i ndihmuar personelit të Klinikës për sëmundje infektive në Shkup, në luftën kundër Covid-19”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Më tej shtohet se komisioneri Lenarčič shprehi mbështetje të fortë për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmëri për mbështetje të vazhdueshme nga ekipi i tij në fushën e kompetencave të tij.

Vizita në Bruksel e Dimitrov dhe Osmanit, vazhdon me takim me MPJ e Suedisë Ann Linde dhe MPJ e Finlandës Pekka Haavisto, ndërsa në margjinat e Këshillit të sotëm për Punë të Jashtme, do të realizojnë takim bilateral edhe me Augusto Santos Silva, Ministër i Punëve të Jashtme të Portugalisë, vend kryesues me Këshillin e BE-së./Telegrafi/

Të ngjashme