Osmani-Chollet: Maqedonia e Veriut do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e institucioneve demokratike

12:03 | 28 Shkurt 2023
A. B.

Gjatë vizitës dyditore në Uashington, kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoni të Veriut, Bujar Osmani, sot do të paraqitet para Komisionit të Helsinkit në Dhomën e Përfaqësuesve, ku do të mbajë fjalim me temën “Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023”, njoftojnë nga MPJ.

Agjendës së Osmanit, theksojnë nga MPJ, i paraprinë takime me Uendi Sherman, Zëvendëssekretare e ShBA-së, si dhe me Derek Shole, Këshilltar i Sekretarit Shtetëror Entoni Blinken në administratën e Presidentit të ShBA-së Joseph Biden.

Në takimin me Sherman, thuhet në komunikatën e MPJ-së, Osmani shkëmbeu mendime për çështjet më me prioritet në raport me punën e OSBE-së, ndërsa diskutuan edhe për tema të tjera, që janë të rëndësishme për rajonin e OSBE-së. Iu referuan edhe partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me ShBA-në, i cili në maj të vitit 2023 mbush 15 vjet nga nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve, dhe e riafirmuan kënaqësinë e ndërsjellë nga dialogu strategjik i suksesshëm, si avancim i rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale.

“Projektet dhe sferat e dakorduara në kuadër të dialogut strategjik me ShBA-në, tashmë janë pjesë e programit qeveritar të punës, në drejtim të përforcimit të institucioneve demokratike, progresi në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Osmani në takimin me Sherman.

Në takimin me Derek Chollet, shtojnë nga atje, gjithashtu temë diskutimi ishte mbështetja strategjike e ShBA-së në proceset e shumta të reformave në Maqedoninë e Veriut.

“Falë këtij dialogu strategjik, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të bëjë hapa të mëdha drejt rritjes së prosperitetit të qytetarëve tanë, përmirësimin e sundimit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e institucioneve demokratike”, tha Osmani.

Në takimin me Chollet, Osmani theksoi se edhe si aleat i ShBA-së në NATO Maqedonia e Veriut jep mbështetje për Ukrainën dhe vlerat bashkëkohore demokratike, si dhe u dënua fuqishëm agresioni rus ndaj Ukrainës./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme