Osmani: Ballkani Perëndimor dhe Deti i Zi mbeten rajone me rëndësi strategjike për NATO-n

13:41 | 30 Nëntor 2022
A. B.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në ditën e dytë të takimit ministror të NATO-s, i cili po mbahet në Bukuresht, ku në fokus të diskutimeve ishte mbështetja për Ukrainën, politika e dyerve të hapura të NATO-s, forcimi i Krahut Lindor të Aleancës, si dhe rëndësia e rajonit të Detit të Zi për sigurinë e përgjithshme transatlantike, njoftojnë nga MPJ.

Nga MPJ theksojnë u bë fjalë edhe për kërcënimet dhe sfidat nga vepruesit autoritarë dhe konkurrentët strategjikë të NATO-s në disa rajone, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarja më e re e NATO-s, e njeh nga afër fuqinë transformuese të integrimit evropian dhe euroatlantik dhe pikërisht për këtë fuqishëm e mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Sot, së bashku me Ministrat e Jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, si vendet më të prekura nga lufta në Ukrainë, kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime se si të forcojmë më tej qëndrueshmërinë e tyre dhe t’i zhvillojmë kapacitetet e tyre, duke e mbështetur pavarësinë e tyre politike. Ballkani Perëndimor dhe Deti i Zi mbeten rajone me rëndësi strategjike për Aleancën. Partneriteti ynë është kyç në ballafaqimin me kërcënimet dhe sfidat e përbashkëta”, shtoi Osmani.

Nga MPJ thonë se Osmani nga Bukureshti do të udhëtojë për në Llogj të Polonisë, ku do të merr pjesë në Këshillin e 29-të Ministror të OSBE-së, pas të cilit Maqedonia e Veriut merr kryesimin me Organizatën.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme