Partia populiste e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të mbajtura të dielën në Serbi, sipas rezultateve paraprake të komisionit zgjedhor.
Partia Progresive Serbe ka fituar 47 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që koalicioni opozitar Serbia Kundër Dhunës fitoi 23 për qind.
“Lista ‘Serbia nuk mund të ndalet’ me siguri do të ketë më shumë se 127 deputetë. Mbase do të kemi 128, 129 apo 130, varësisht nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. Kjo listë do ta ketë shumicën absolute në parlamentin e Republikës së Serbisë”, tha presidenti Vuçiç të dielën në mbrëmje duke shpallur fitoren.
Ndërkohë udhëheqësi i koalicionit opozitar Miroslav Aleksiq tha se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të pranohet për shkak të një procesi të manipuluar zgjedhor.
“Ishim dëshmitarë të një abuzimi të paparë të votës sot. Ajo që ndodhi gjatë fushatës dhe më herët – trysnia ndaj votuesve, blerja e votave dhe parregullsi që përdori kjo qeveri – u bënë edhe sot në shkallë edhe më të gjerë, sidomos në qytetin e Beogradit. I sollën njerëzit me autobusë, makina, njerëz që nuk jetojnë në Beograd, shumë prej të cilëve erdhën për herë të parë në Beograd, për të votuar si qytetarë të Beogradit. I mblodhën te salla e sporteve. Kemi prova për ta dëshmuar këtë. Thënë troç: ajo që ndodhi sot nëpër Serbi është diçka që thjeshtë, nuk mund të pranohet si rezultat i zgjedhjeve të lira demokratike,” deklaroi zoti Aleksiq.
Beteja më e madhe mes dy grupimeve politike ishte në Beograd. Ndonëse rezultatet për qeverisjen e Beogradit ende nuk janë shpallur nga autoritetet zgjedhore, sipas parashikimeve të grupeve që vëzhguan zgjedhjet, Partia Progresive e Serbisë e zotit Vuçiç ka fituar 38 për qind të votave në Beograd, ndërsa opozita 35 për qind.
Disa qytetarë në Beograd u shprehën të pakënaqur me rezultatin.
“Jam plotësisht i pakënaqur me zgjedhjet, jam i bindur që një vjedhje e madhe ndodhi në Beograd. Nuk mund të pajtohem me këtë fakt. Policia po mbështet vjedhjen e votës. Nuk mund të pajtohem me presidentin që gënjen, që përkrah vjedhjen, që thotë se transportimi i votuesve me autobusë është i pranueshëm. Jam ende me emocione dhe nuk po mund të mendoj racionalisht. Jam shumë i emocionuar, por kjo është e papranueshme nëse duam të kemi një shtet modern,” tha beogradasi Nikola Marjanoviq.
“Kanë vjedhur më shumë tani se në të kaluarën. Pa mëshirë. Të gjithë e prisnin dhe të gjithë e dinin. Askush nuk njeh ndonjë që voton për Partinë Progresive, por në fund del se ata janë shumica. E meritojmë këtë situatë,” tha një banor i Beogradit që u identifikua vetëm me emrin Dragan.
Nëse rezultatet paraprake konfirmohen zyrtarisht, partia e Presidentit Vuçiç do të ketë shumicën absolute në Kuvendin me 250 vende dhe do ta formojë e vetme qeverinë e re të Serbisë, pa pasur nevojë për koalicion me partitë e tjera.
Parregullsitë janë raportuar nga vëzhguesit e zgjedhjeve dhe mediat e pavarura. Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deklaroi të hënën se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i Presidentit, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë minuar procesin zgjedhor në tërësi.” Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.” Sipas raporteve, serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar njerëzve që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina a tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.
Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë mohuar akuzat.
Por sipas analistit politik Zoran Stojilkoviç, zoti Vuçiç ka krijuar një atmosferë të “shantazhit politik” duke paralajmëruar destabilizim politik nëse partia e tij nuk fiton zgjedhjet.
“Presidenti serb Vuçiç luajti rol të madh. Ai thjesht krijoi një atmosferë frike, duke bërë shantazh politik – duke thënë se nëse partia dhe koalicioni i tij nuk fitonte, atëherë ai nuk do të ishte president dhe banorët do të ishin përgjegjës për krizën politike që do të pasonte. Mbi këtë teori kërkoi përkrahje masive dhe e mori, i ndihmuar edhe nga qëndrimi shumë pasiv dhe hipokrit i Perëndimit zyrtar, për të cilët një ‘stabilo-krat’ në pushtet është shumë më i rëndësishëm se vlerat demokratike, dikë që mund ta kontrollojnë, që në teori e kanë në xhep – me një fjalë ‘është njeri i keq, por është i tyre,” tha zoti Stojilkoviç.
Ndër urimet e para për fitoren e zotit Vuçiç erdhën nga Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov përgëzoi zotin Vuçiç dhe tha se Rusia beson se fitorja e tij “do t’i kontribuojë për zhvillimit të mëtjeshëm të Republikës.”
Opozita serbe ka paralajmëruar se do të parashtrojë ankesë zytare dhe ka thirrur protesta popullore./voa
Maqedonia e Enis Bardhit fiton dhe siguron kalimin në Ligën ...
Tonali vendimtar, Italia shënon fitore minimale ndaj Belgjik...
Të hënën, Qeveria e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut mbajn...
Leo e pranon hapur: Kam pëlqim për Lelën dhe po përshtatemi ...
Banka Botërore: Libani ka pësuar dëme prej 8.5 miliardë doll...
Anglia bindëse ndaj Greqisë, rikthehet në pozitën e parë në ...