Orban: Hungaria do të shqyrtojë kërkesën për ekstradimin e Gruevskit

21:07 | 23 Nëntor 2018
Arbresh.info

Autoritetet hungareze do të vlerësojnë dhe do të japin një mendim rreth kërkesës për ekstradim të bërë nga Maqedonia për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, të cilit iu dha azil në Hungari, deklaroi sot kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, transmeton Anadolu Agency (AA).

Orban në radion shtetërore tha se Gruevski, i cili u largua nga Maqedonia javën e shkuar për t’i ikur vuajtjes së dënimit me burgim prej 2 vitesh për korrupsion, është aleat i Hungarisë që meriton trajtim të drejtë.

Orban, i cili kishte ngritur gardhe në kufi kundër migrantëve në vitin 2015, tha se pa politika të ngjashme nga Gruevski, i cili ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016, “do të ishte shumë më e vështirë, nëse do të ishte e mundur, të mbrojmë kufirin hungarez”.

“Ai ishte politikani i parë ballkanik që ndërtoi një gardh”, tha Orban. “Kjo është dhe arsyeja pse ne gjithmonë menduam për Maqedoninë dhe atë personalisht si një aleat. Aleati trajton aleatët e tij në mënyrë të drejtë”, tha Orban.

Pas largimit të tij nga Maqedonia në rrethana ende të paqarta, Gruevski bëri kërkesë për azili në një mision diplomatik hungarez në Shqipëri javën e kaluar. Më vonë, ai udhëtoi në disa vende të Ballkanit me automjet diplomatik hungarez, të shoqëruar nga diplomatë hungarezë.

Orban e përshkroi udhëtimin e Gruevskit nëpër Ballkan si një “triller” emocionues dhe këmbënguli se çështja ishte ligjore, jo politike dhe se qeveria e tij nuk ishte përfshirë në vendimin për azil.

Kryeministri hungarez tha se është “e rëndësishme” që qeveria hungareze të përmbahet nga komentet rreth çështjes Gruevski dhe disa raste të tjera gjyqësore në pritje kundër tij në vendin e tij.

“Në Maqedoni zhvillohen disa beteja dhe lojëra të komplikuara politike, ku dhe sistemi i drejtësisë është pjesë e saj”, tha Orban. “Unë vetë nuk e di se çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është e vërtetë, sepse praktikisht është e pamundur të përcaktohesh”.

Ashtu siç rriten kritikat që vijnë në llogari të tij për të gjitha çështjet, Orban akuzoi se edhe në këtë rast është përfshirë miliarderi hungarezo-amerikan dhe filantropisti George Soros, të cilin ai e konsideron një armik ideologjik dhe fajëson atë, megjithë mohimet e përsëritura nga Soros për rritjen e numrit të emigrantëve në Evropë viteve të fundit.

Orban tha se të gjitha kritikat më të fortë ndaj qeverisë hungareze në rastin e Gruevskit erdhën “nga organizatat e Sorosit”.

“Ata që janë në favor të emigracionit dhe ata që sulmojnë çështjen e kryeministrit maqedonas janë pikërisht të njëjtët njerëz, si në nivel personal ashtu edhe në atë organizativ”, tha Orban.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme