Google ADS

Opozita refuzon takimin me Zaevin pas skandalit me ish-kryeprokuroren

09:06 | 19 Korrik 2019
A. B.

Skandali me ish-kryeprokuroren Speciale, Katica Janeva, e dyshuar për përfshirje në shantazh dhe marrje ryshfeti të 1.5 milion eurove nga një afarist, ka vënë në pikëpyetje takimin e liderëve të partive politike, të thirrur nga kryeministri Zoran Zaev, ditën e premte.

Kreu i Qeverisë, ka ftuar në takim kryetarët, atë të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickovski, të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, për të diskutuar për Ligjin e Prokurorisë Publike, regjistrimin e popullsisë dhe kodin zgjedhor.

Zaev ka thënë se opozita duhet të marrë përgjegjësinë për zhvillimet në vend dhe jo t’u ikë takimeve që janë mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve.

“Është koha e fundit që Mickovski të kuptojë se edhe opozita ka përgjegjësi dhe duhet të sjellë vendime në interes të qytetarëve dhe shtetit. Nesër, në takimin e liderëve, jam i gatshëm që të bisedoj për të gjitha temat që do t’i propozojnë liderët e partive politike. Qëndrimet tona për zgjedhje të parakohshme publikisht i kam thënë”.

“Nuk e kam ndërmend të plotësoj dëshirën për zgjedhje të parakohshme, nuk e kam ndërmend të dëmtoj perspektivat ekonomike të qytetarëve, edhe pse e di se do të fitonim. Pse të frikësohemi nga zgjedhjet e parakohshme apo të rregullta në vitin 2020, kur me sukses e futëm vendin në NATO, po hapim kapituj me BE-në, ndërsa edhe parametrat ekonomikë po shkojnë drejt qiellit, ndërsa qytetarët tashmë po i ndiejnë përfitimet ekonomike”, ka shkruar kryeministri Zoran Zaev në rrjetin social Facebook.

Por, kreu i opozitës maqedonase ka thënë se nuk mund të jetë pjesë e një takimi të tillë ku nuk do të bisedohej për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Unë nuk e shoh të nevojshme që të jem i pranishëm në atë takim, në të cilin do të bisedohej për gjithçka, por jo edhe për atë që sot ka nevojë Republika e Maqedonisë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai gjithmonë kishte deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje dhe tani tërhiqet nga frika e debaklit në to. Ne kërkojmë zgjedhje për të nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë”.

“Jemi dëshmitarë të aferave, që rrënjët i kanë shumë më të thella se afera e fundit e ryshfetit, ku është përfshirë edhe kryeprokurorja e dorëhequr, e cila pas këtij skandali vendin duhet ta ketë në burg. Ne konsiderojnë se ky pushtet duhet të bjerë sa më parë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Mickovski.

Dy partitë shqiptare, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim.

“Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti e hapur, gjithmonë është e gatshme që të ulet dhe të bisedojë për gjetjen e zgjidhjeve më të mira të mundshme për qytetarët dhe funksionimin normal dhe të papenguar të institucioneve”, ka deklaruar Kreshnik Bekteshi nga BDI-ja.

Ndërsa, nga Aleanca për Shqiptarët, ngjashëm sikur opozita maqedonase do të përsërisin kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga ana tjetër, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se partitë duhet të bëjnë gjithçka për të zgjedhur një zgjidhje për Prokurorinë Speciale, për vazhdimin e mandatit që i skadon më 15 shtator.

“Prokuroria Speciale ishte shumë e nevojshme në kohën kur bënim ndryshimet demokratike. Prokuroria Speciale duhet të jetë pjesë e sistemit në kuadër të Prokurorisë së rregullt. Kjo është shumë e nevojshme që në periudhën në vazhdim t’i procedojë rastet me shpërdorimet e bëra, jo vetëm nga ata që ishin në pushtet, por edhe për ne që sot jemi në pushtet”, ka deklaruar presidenti Pendarovski, duke bërë thirrje për hetimin e plotë të rastit me ryshfetin prej miliona eurosh ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ish-kryeprokurorja, Katica Janeva.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme