Kërkesa e qeverisë drejtuar kuvendit për vazhdimin edhe për gjashtë muaj të gjendjes së krizës në Maqedoninë e Veriut, ka nxitur polemika nëse pas kësaj kërkese qëndron synimi për përballje më efikase me pandeminë apo nëse bëhet fjalë për vendim populist.
Gjendja e krizës në kohëzgjatje prej 30 ditëve ishte shpallur më 20 nëntor me kërkesë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim të rritjes së efikasitetit të institucioneve kundrejt pandemisë së koronavirusit. Kërkesa e qeverisë duhet të votohet nga kuvendi më së voni deri më 19 dhjetor.
Por, opozita maqedonase, sikur në rastin e parë kur u shpall gjendja e krizës edhe tani mbetet në qëndrimin se pas një vendimi të tillë qëndrojnë interesa të grupeve të caktuara dhe jo mbrojtja e popullatës nga pandemia.
“Ne dyshojmë se gjithë këtë situatë që po e krijojnë si qeveria ashtu edhe presidenti i shtetit po bëhet me qëllim që disa njerëz të caktuar të mund të përfitojnë nga kjo gjendje e krizës, ndërsa nga ana tjetër qytetarët do të përballen me kaos edhe më të madh sa i përket përballjes me pandeminë. Ne jemi dëshmitarë se shëndetësia nuk po arrin të përballet me pandeminë dhe kjo më së shumti po godet popullatën. Për këtë më së miri flasin shifrat e përditshme me dhjetëra të vdekur e shumë të tjerë të infektuar”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Shumica parlamentare ka 62 deputetë, apo vetëm një më shumë se shumica e nevojshme për miratim të vendimeve, kështu që nëse ndodh që ndonjë deputetë të mungojë për shkak të infektimit me koronavirus, siç ka ndodhur disa herë deri më tani, atëherë miratimi i këtij vendimi do të vihej në pikëpyetje. Kjo, edhe për faktin se edhe opozita shqiptare ka dalë kundër kërkesës së qeverisë për vazhdimin e gjendjes së krizës duke e vlerësuar më shumë si politike, në përpjekje, për siç thuhet, fshehjen e problemeve reale dhe paaftësisë së institucioneve për përballje me pandeminë.
“Kjo kërkesë për vazhdimin e gjendjes së krizës është kërkesë politike përmes të cilës duan të mbulojnë gjërat të cilat shumë pak i dinë opinioni. Konsiderojmë se kjo kërkesë nuk është në rregull, por për çështjen e pandemisë përgjegjësia të kërkohet te Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka deklaruar Skender Rexhepi nga koalicioni opozitar Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët.
Si opozita shqiptare ashtu edhe ajo maqedonase në vazhdimësi kanë kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, duke e fajësuar këtë trup për gjendjen e rëndë me pandeminë, numrin e lartë të infektimeve dhe të vdekjeve. Opozita kërkon formimin e një komisioni të ri nga kuvendi në përbërje të të cilit do të kishte kryesisht ekspertë të më shumë klinikave spitalore.
Shpallja e gjendjes së krizës në gjithë territorin e vendit nënkupton përfshirjen edhe të Armatës në aktivitetet e rendit, si dhe në ndihmë të institucioneve shëndetësore. Shpallja e gjendjes së krizës i mundëson qeverisë që të administrojë edhe me spitalet private dhe ndërmarrjet tjera në përballje sa më efikase të sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri./REL
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...