OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim

20:38 | 26 Dhjetor 2024
K.B

Dhjetë organizata të shoqërisë civile kanë paraqitur kallëzim penal kundër personave të panjohur në BIA dhe polici për përgjimet. Kjo sipas dyshimeve se telefonat e aktivistëve dhe gazetarëve janë “infektuar” me softuerin i cili mundëson qasje në të dhëna private, përfshirë mesazhe, kontakte, kamera.

Një shembull është aktivisti nga Shoqata Krokodil, i cili gjatë një bisede në BIA kishte lënë telefonin pa mbikëqyrje. Më pas u zbulua se në pajisjen e tij ishte instaluar softueri spiun. Nga kjo organizatë thonë se presin zgjidhje gjyqësore.

“Nuk kemi përgjigje për pyetjen pse po ndodh kjo. Ajo që vihet re këtu është se po hyjmë në një fazë tjetër të mbylljes së shtetit tonë, ku kushdo që bën punën e tij duhet të jetë ose i angazhuar ose të raportojë tek shteti. Përndryshe, je në rrezik, dhe kjo na çon drejt një totalitarizmi. Detyra jonë si organizatë qytetare është të promovojmë parime demokratike, paqe, pajtim”, tha Millena Beriq nga Shoqata Krokodil.

Sipas një hulumtimi nga BIRN dhe Amnesty International, BIA ka përdorur teknologjinë izraelite për të instaluar softuerin vendas NoviSpy, duke hapur telefonat e aktivistëve të cilët i kishte ftuar ose ndaluar për intervista.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, i ka mohuar këto pretendime, duke i quajtur ‘sulm ndaj praktikave të sigurisë’. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojnë hetime dhe përgjegjësi, duke theksuar se përdorimi i softuerëve spiun në Republikën e Serbisë përbën një vepër penale.

“Kjo është hera e parë që ka prova konkrete se është instaluar spyware dhe tani është koha që institucionet përkatëse të bëjnë punën e tyre. Qeveria i ka tejkaluar kompetencat e saj. Kufizimet kushtetuese ekzistojnë pikërisht për të parandaluar keqpërdorime si këto. Mungesa e kontrollit institucional për vite ka sjellë këtë situatë”, tha Danilo Krivokapiq, drejtor i Fondacionit SHARE.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kërkuar reagimin e institucioneve ndërkombëtare, ndërsa kompania izraelite po heton për keqpërdorimin e mundshëm të softuerit të saj në Serbi. Siç raportohet, nëse konfirmohet se softueri është përdorur për spiunim, kjo mund të çojë në ndërprerjen e licencave për autoritetet serbe. Ndryshe edhe përfaqësues te opozitës pohojnë se shërbimet e sigurisë po i ndjekin dhe i përgjojnë, duke vënë në dyshim nëse këto të dhëna përdoren për qëllime politike./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme