Google ADS

Nuk ka zgjedhje pa ligjet për PP-në, për mbrojtje dhe protokollin për NATO

08:38 | 4 Shkurt 2020
Arbresh.info

Nëse OBRM-PDUKM, BDI, PDSH, Lëvizja Besa, RDM, PLD, partitë e serbëve, romëve, turqve dëshirojnë të mos ketë shtyrje të zgjedhjeve duhet të miratohet ligji për prokurorinë publike, sepse ashtu janë marrë vesh të gjitha partitë.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dje tha se ligji për prokurorinë publike, Protokolli për NATO dhe ligji për mbrojtje, janë pjesë e agjendës që është arritur nga të gjitha partitë të përfundojë deri në shpërndarjen e Kuvendit më 12 shkurt.

“Nëse dikush e shkel këtë, atëherë shpërndarja e Parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve nuk do të ndodhë”, tha Zaev.

Kryeministri Oliver Spasovski dje në intervistë për televizionin nacional tha se nuk beson në shtyrjen e zgjedhjeve, por edhe nëse shtyhen, sipas tij, ato ndonjëherë do të mbahen, qoftë pas një muaji apo dy.

“Perspektivat evropiane duhet të vijnë sa më parë. Tani kur i shikoni ato dy interese, me të vërtetë është më i rëndësishëm interesi i shtetit dhe përparimi i shtetit”, potencoi Spasovski.

Dje u mbajtën disa takime bilaterale me përfaqësues të grupeve të deputetëve ku u shqyrtuan amandamentet e tyre për ligjin për PP-në. Nga Ministria e Drejtësisë informojnë se qëllimi i atyre takimeve është sigurimi i konsensusit dhe shumica prej dy të tretave.

Pas takimit të fundit të grupit të punës të premten, disa disa grupe të deputetëve, fundjavën që shkoi parashtruan amandamente për ligjin për prokurorinë publike, ndërsa disa bënë lutje për kohë shtesë në mënyrë që t’i formulojnë ato për shkak të obligimeve që i patën me dialogun Zhan Mone.

Për OBRM-PDUKM-në është e pranueshme zgjidhja ligjore që do ta përpunojnë dhe do të dalë nga vetë opinioni i ekspertëve që ishte përfshirë në debatin publik për ligjin për prokurorinë publike, thotë lideri i partisë opozitare Mickoski.

“Nevojitet vendim ligjor cilësor, ndërsa jo një që pushteti shtyn në derë të vogël vetëm një javë e gjysmë para shpërbërjes së Parlamentit. Për atë për OBRM-PDUKM-në, me qëllim që të mos robërohet në kotësinë e disa ministrave dhe qëndrimin e Zaevit për përgjegjësi, është i pranueshëm vendimi ligjor të cilin do ta përpunojnë dhe i cili do të dalë nga vetë opinioni ekspert i cili ishte përfshirë në debatin publik për ligjin e prokurorisë publike”, citon Mickoski në deklaratën e shkruar të dërguar nga Qendra për komunikime të OBRM-PDUKM-së.

Mickoski thotë se nuk krijohet vendim ligjor për mbrojtje të interesave partiake të individëve, por vendim i propozuar nga ekspertët i cili do të pranohet për Kuvendin.

Sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së opozitare, Igor Janushev të dielën porositi se nuk tërhiqen nga kërkesat për ligjin për PP-në, pasi që të premten i bënë thirrje Ministrisë së Drejtësisë të organizojë takim me ekspertët juridikë të cilët bënë vërejtje ndaj debatit publik dhe së bashku me ta të bëjnë amandamente për propozim-ligjin.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ditën e njejtë e porositi OBRM-PDUKM-në se nëse mendojnë se ka nevojë për ndryshime të tekstit të ligjit, t’i përkushtohen përgatitjes së amandamenteve. Vetëm ashtu. thotë. do të tregojnë se janë të gatshëm t’i venë interesat e eurointegrimit para interesave personale të kriminelëve të akuzuar dhe të dyshuar nga radhët e tyre.

Mbetet e hapur çështja nëse partitë do të kenë sukses t’i harmonizojnë qëndrimet në mënyrë që Parlamenti ta miratojë ligjin deri në shpërndarjen e tij. Sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, ka mundësi rregulloreje që Propozim-ligji të vihet menjëherë në mbledhje kuvendore nëse harmonizohet teksti.

Për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për PP-në ditëve të kaluara folën edhe faktorët e brendshëm politik, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

 

Të ngjashme