Njëvjetori i vrasjes së Almirit 4-vjeçar: Tragjedia tjetër që sot një vit tronditi shqiptarët

18:07 | 25 Qershor 2017
Arbresh.info

Ka kaluar një vit nga vrasja tragjike e katërvjeçarit Almir Aliu nga Kumanova. Dhe për ta ta shtuar dhembjen e kujtimit të hidhur, sot ndodhi edhe tragjedia e paimagjinueshme në një tjetër vendbanim shqiptar në Maqedoni – në Gllumovë tëShkupit një njeri vrau vëllain, dy djemtë e dy vëllezërve dhe më në fund edhe veten.

Siç përkujton Alsat-M në raportin për përvjetorin e parë të vrasjes që tronditi mbarë popullatën shqiptare, gjykimi për këtë rast të rëndë ka mbërritur vetëm në fazën e analizës së trajektores lëvizëse të të akuzuarit për vrasje, Boban Iliç.

Në seancat e deritanishme gjyqësore mbrojtja ka pretenduar se agresori Boban Iliç vrasjen e ka kryer pa vetëdije si pasojë e dhunës fizike. Konstatimet e ekspertëve neuro-psikiatrik hodhën poshtë pohimet e mbrojtjes.

Tani mbrojtja insiston se goditja çnjerëzore me makinë ndaj Almirit dhe prindërve të tij është bërë si pasojë e thyerjes së dritares së përparme të veturës. Por pala e dëmtuar kundërshton pohimet e mbrojtjes.

Avokati i familjes Aliu thotë se mbrojtja pretendon rikualifikimin e lëndës dhe dënimin sa më të ulët për një vrasje me paramendim.

“Ekspertët ligjorë Branisllav Stefanovski dhe mjekja Zoja Babinkosotova tentojnë ti ndihmojnë të akuzuarit Boban Iliq me atë që në njëfarë mënyrë po konstatojnë se i njejti veprën penale për të cilën akuzohet e ka kryer pa paramendim.

Vlerësojmë se personat ekspert në mënyrë joprofesionale mundohen të konstatojnë të drejtën rreth paramendimit”, deklaroi avokati Asmir Alispahiç një muaj më parë.

almir-aliu_1498403905-2567484

Almiri 4-vjeçar, i cili u vra brutalish sot një vit pas një zënke banale të të rriturve

Kamerat e sigurisë dëshmojnë të kundërtën e versionit të mbrojtjes. Avokati Ibrahim Bajrami shton se i akuzuari Iliç qëllimisht është kthyer me veturë mbrapa dhe është hakmarrë ndaj familjes Aliu si pasojë e një zënke pak minuta para goditjes me veturë.

“Në përgjithësi shihet një tendencë e përgjithshme për uljen e përgjegjësisë. Gjithçka është e mundur. Ne jemi të bindur se kur do të merren të akuzuarit në pyetje dhe gjatë fazës shtesë kur do të paraqiten dëshmitë, rasti do të zbardhet në plotësi – deklaroi Ibrahim Bajrami”, tha avokati Ibrahim Bajrami .

Motivet e vrasjes akoma nuk janë zbardhur plotësisht. Më 22 dhjetor 2016, Prokuroria Themelore e Kumanovës solli aktakuzën për veprën në fjalë. Në bankën e të akuzuarve ka vendosur katër persona, njërin për vrasje me paramendim ndërsa 3 të tjerë për dhunë, përfshirë këtu babanë e Almirit, Sedat Aliun.

Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor si pasojë e një zënke paraprake mes të akuzuarit dhe prindit të tij e që dyshohet të ketë ndodhur në Ambulancën e qytetit afër qendrës së qytetit në Kumanovë.

Almiri i vogël plot një javë kaloi në kujdes intensiv, ndërsa më 2 korrik ndërroi jetë kur edhe iu dha lamtumira e fundit nga familjarët dhe qytetarët. Më 3 korrik mijëra qytetarë protestuan në Kumanovë duke kërkuar gjykim transparent dhe dënim të merituar për autorin veprës./Alsat-M/

https://www.youtube.com/watch?v=vpJlJdCdQbI

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme