Google ADS

Një milion të infektuar nga Covid-19 në botë, Maqedonia shton masat për kulmin e epidemisë

10:04 | 3 Prill 2020
V. S.

Numri i personave të infektuar me coronavirusin e ri në botë e ka tejkaluar njëmilionëshin. Shumica e rasteve janë në SHBA, Itali dhe Spanjë.  Ndërsa në Maqedoninë e Veriut dje janë regjistruar 30 raste të reja, me ç’rast numri i të infektuarve është 384 persona.

Autoritetet e presin kulmin nga fundi i muajit prill, ndërsa përkundër masave të marra tashmë, prej javës së ardhshme në funksion të plotë do të vendoset edhe spitali mobil që do ta dyfishojë kapacitetin e Klinikës së Sëmundjeve Infektive.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, beson se do të kemi lakore të pranimit të pacientëve të rinj, e cila praktikisht do të jetë e amortizuar nga Klinika për Sëmundje Infektive.

Në spitalin mobil do të ketë 130 shtretër, ndërsa sipas ministrit, lokacioni është i mirë sepse këtu është edhe qendra e ekspertizës, gjegjësisht specialistët e mjekësisë infektive, infermierët dhe ekipi rezervë nga klinikat e tjera.

Sipas zëvendëskryeministres Sheqerinska, nuk është tepër vonë për vendosjen e spitalit mobil sepse do të ishte e papërgjegjshme që spitali të aktivizohej pesë javë më parë dhe të qëndron pa asnjë pacient.

Nga ana tjetër, në vend paralajmërohen edhe donacione nga vendet evropiane, Holanda tashmë paralajmëroi dy mijë teste dhe kabinet për diagnostikimin e Covid-19 me të cilin duhet të dyfishohet kapaciteti i laboratorit aktual në Institutin e Shëndetit Publik.

Vendit i është miratuar gjithashtu qasje në Fondin Evropian të Solidaritetit, që do të thotë se do të marrë pjesë në procedura të përbashkëta të blerjes së materialeve dhe nevojave për institucionet shëndetësore.

Janë bërë edhe 4.177 testime që në krahasim me rajonin e vendosin vendin në një situatë të favorshme, gjegjësisht në grupin e vendeve me numrin më të madh të testimeve për një milion banorë. Para nesh, është vetëm Sllovenia.

Në Klinikën për Sëmundje Infektive janë hospitalizuar 64 pacientë. Në 24 orët e fundit janë pranuar gjashtë pacientë të rinj. Tetë prej tyre janë me pasqyrë më të rënde klinike, ndërsa disa pacientë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ata do të testohen në ditët në vijim në mënyrë që të analizohen gjendjet dhe nëse janë negativë në dy testime atëherë do të lëshohen./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme