Google ADS

Një javë afat për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale

19:56 | 24 Maj 2019
Arbresh.info

Më pak se një javë kanë në dispozicion grupet e punës nga pushteti dhe opozita që t’i tejkalojnë dallimet për funksionimin e Prokurorisë Speciale, pasi që raporti i Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj. Brukseli pret të miratohet Ligji për Prokurorinë Speciale si hap shumë i rëndësishëm për realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Mospajtimet kanë të bëjnë me nenin 105, i cili është pengesë kyçe në sjelljen e ligjit për Prokurorinë Publike që përfshin dhe përcaktimin e statusit të Prokurorisë Speciale, e që ka të bëjë me vazhdimin e procedurave dhe shfrytëzimin e dëshmive, të cilat janë mbledhur deri më tani.

Opozita kërkon që përmes ndryshimit të nenit 105, t’i anulojë të gjitha akuzat e ngritura nga PSP-ja pas qershorit të vitit 2017.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë theksuar nuk do të bëjnë kompromis me vazhdimin e ndjekjes së krimeve të bëra penale dhe se për këtë institucion, nuk do të jetë e pranueshme vendosja e dispozitave që kërkon opozita e që në një formë do të thonë amnisti e fshehtë për disa vepra.

Mitko Gaxhoski, njohës i çështjeve politike shprehet optimist se Ligji që definon statusin e Prokurorisë Speciale, do të marrë dritën e gjelbër nga shumica parlamentare para se të publikohet raporti i Komisionit Evropian, pavarësisht se të dyja palët, opozita dhe pushteti, mbeten në qëndrimet e tyre të forta.

Gaxhoski shprehet i bindur se edhe pa deputetët e OBRM-PDUKM-së, do të arrihet të sigurohen dy të tretat e votave, përkatësisht përkrahja e 80 deputetëve.

“Një nga faktorët kyç për marrjen e raportit pozitiv, përkatësisht caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, është ligji që definon punën e Prokurorisë Speciale Publike. Pavarësisht hapësirës së ngushtë kohore, vlerësoj se në fund do të miratohet Ligji për Prokurorinë Speciale,varësisht se për këtë do të votojnë ose jo deputetët e opozitës maqedonase OBRM-PDUKM-së”, thotë Gaxhoski.

Ndërkaq, Aleksandar Nakov, ish-prokuror, thotë se edhe opozita maqedonase ka të qartë se Maqedonia e Veriut duhet të dëshmojë se është shtet që synon sundimin e drejtësisë dhe kjo është e pamundur nëse nuk krijohen kushte ligjore që t’i kryejë detyrat e saj Prokuroria Speciale Publike.

“Vlerësoj se patjetër do të duhet të gjendet një mënyrë apo ‘modus’ që opozita dhe pushteti të arrijnë ujdi për t’i mundësuar Prokurorisë Speciale Publike t’i kryejë detyrimet për çka ajo u themelua”, thekson Nakov.

Në kërkesën e OBRM-PDUKM-së që ligji, para se të miratohet, të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias, dhe më pas të ndërhyhet për plotësimin e tij, Nakov sheh mundësinë e përfitimit të kohës që të shpëtojnë nga akuza një pjesë e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit që akuzohen nga Specialja për vepra kriminale.

“OBRM-PDUKM-ja, me insistimin e vendosjes së kësaj kërkese, ka për qëllim që disa lëndë të mos mund të procedohen, sepse ato do të llogaritet se janë vjetërsuar, dhe me këtë, zyrtarë të caktuar që kanë shpërdorur pozitat udhëheqëse, të mund të lirohen nga akuza”, konsideron Nakov.

Gjatë kësaj jave Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet ligjore në lëmin e sigurisë, gjë që u përshëndet nga Zyra e BE-së në Shkup dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si hap i rëndësishëm në drejtim të realizmit të reformave në sektorin e sigurisë. Ndërkohë, diplomatët theksuan se nuk duhet humbur kohë, por sa më parë duhet të miratohet dhe ligji që definon të ardhmen e Prokurorisë Speciale publike.

“Dialogu konstruktiv rezultoi me përparim në një nga lëmit kryesore që ka të bëjë me sundimin e drejtësisë. Pres implementim të suksesshëm të reformave. E gjitha vëmendja duhet fokusuar në Ligjin e Prokurorisë Publike dhe Prokurorisë Speciale. Nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar në profilin e tij në Twiter ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme