Nimetz: Identiteti juaj është i fortë dhe i sigurt

22:06 | 19 Janar 2018
Arbresh.info

Ndërmjetësi Matthew Nimetz në një intervistë për televizionin Sitel tha se kontesti i emrit nuk i shkakton ndonjë problem të madh botës, sepse ekzistojnë shumë njerëz të cilët nuk kanë dëgjuar për këtë çështje, por paraqet dëm të madh për të dy shtetet nëse zgjidhja e saj zgjatet edhe më tej, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas Nimetz, për dallim nga e kaluara, gjendja tani është ndryshuar plotësisht, si në Athinë ashtu edhe në Shkup.

“Athina del nga kriza ekonomike, kanë më shumë vetëbesim dhe mundohen të luajnë rol më të madh në rajon. Nv Shkup kemi Qeveri të re e cila duket se është e përkushtuar në zgjidhjen e çështjes së emrit. Tani kam dy Qeveri me njerëz serioz, dy kryeministra dhe dy ministra për punë të jashtme serioz, këtu janë edhe opozita dhe mediat dhe njëherë do të duhet të vendosni. Tani është çasti sepse nuk ka zgjedhje, të mos priten edhe 25 vite tjera, sepse ju do të jeni këtu, unë jo”, tha Nimetz.

Për përfaqësuesin e Maqedonisë në këto negociata, Vasko Naumovski, ndëmjetësi Nimetz tha se është një diplomat i ri dhe se nuk dëshiron ta kritikojë deklaratën e tij të dhënë pas takimit të realizuar në New York.

“Nuk është sekret se marrëveshja është gjithëpërfshirëse dhe u mundova të përfshij problemet më të mëdha dhe të gjej mënyrë që do të jetë në interes të të dyja palëve. Nuk ndërhyj në identitetin e shtetit, por e përforcoj atë, ju keni identitet të fortë, jo vetëm nga pavarësimi, por edhe nga koha e Jugosllavisë dhe Perandorisë Osmane. Identiteti juaj është i sigurtë dhe me idetë e mia përforcohet edhe më tepër”, tha Nimetz.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme