Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu priti sot homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bojan Maricik.
Në takim Ministrja Haxhiu fillimisht e ka njoftuar Ministrin Maricik me rezultatet dhe zhvillimet në Kosovë të reformës në drejtësi dhe forcimit të shtetit të së drejtës, përfshirë vettingun si një nga proceset më të rëndësishme të mandatit të saj.
Nga ana tjetër, Ministri Maricik ka përgëzuar Ministren Haxhiu duke e vlerësuar angazhimin e saj dhe të Qeverisë së Kosovës në reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë. Ministri Maricik derisa ka folur për sfidat me të cilat po ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, ka shprehur gatishmërinë e tij për shkëmbim të përvojave dhe thellim të bashkëpunimit në fushat të caktuara për çka ministrja Haxhiu është shprehur po ashtu e gatshme.
Veçanërisht në fokus të bisedës së dy ministrave ka qenë bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të marrëdhënieve juridiksionale dypalëshe, përkatësisht forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike me ç’rast është nënshkruar marrëveshja në çështjet civile në mes të dy vendeve si dhe lehtësimi i procedurës ligjore mes tyre në këtë fushë.
Marrëveshja e nënshkruar sot zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile ose tregtare të personave fizikë dhe juridikë. Sipas kësaj marrëveshje palët i garantojnë shtetasve të palës tjetër mbrojtje të njëjtë juridike të të drejtave dhe qasje të lirë pranë gjykatave dhe organeve tjera, sikurse për shtetasit e tyre. Po ashtu përmes kësaj marrëveshje është paraparë pika e cila trajton përjashtimin nga legalizimi i dokumenteve, fuqinë juridike të dokumenteve publike, ndihma juridike dhe lirimi nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore, mbrojtja juridike dhe qasja e lirë në gjykata dhe autoritete të tjera si dhe çështje të tjera me rëndësi.
Haxhiu dhe Maricik e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe janë shprehur të bindur së në të ardhmen do të thellohet ky bashkëpunim në çështjet përmes të cilave sigurohet lehtësi dhe garantim i të drejtave të qytetarëve të të dyja vendeve.
Gjithashtu ministrat u përqendruan në diskutimin lidhur me bashkëpunimin në çështjet e trajtimit të personave të cilët gjenden në paraburgim dhe vuajtje të dënimit në të dyja vendet, përfshirë rastit “Kumanova” për të cilët u theksua nevoja për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe trajtim i tyre sipas standardeve ligjore dhe instrumenteve ndërkombëtare. Të dy ministrat shprehën gatishmërinë dhe mbetën të angazhuar që të akuzuarit të kenë trajtim të duhur, dinjitoz dhe përkitazi me ligjet në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.
Pjesë e diskutimit ishte dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, çështja e dhunës në familje si dhe shkëmbimi i përvojave në kuadrin e integrimit evropian duke ofruar mbështetje të ndërsjellë në legjislacionin përkatës.
Në fund të takimit ministrja Haxhiu falënderoi për vizitën ministrin Maricik dhe theksoi se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe veçanërisht bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive të drejtësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. /arbresh.info/
Policia dhe SHSKUK sot mbajnë konferencë për media
Kurti: Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim
Dita ndërkombëtare e gatishmërisë epidemike
Hajnat hyjnë në një shtëpi në Sllatinë dhe vjedhin një pisto...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 300 gjoba brenda 24 orëve
Zhduket një person në Prizren