Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje dhe Diplomaci Publike, Liz Allen, u takua të mërkurën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Kosovën, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH)
DASH tha se ata biseduan për “çështjet globale” dhe për përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkim Evropian, përfshirë përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Allen nënvizoi rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëveshjeve me Kosovën përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftim.
Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
BE-ja ka thënë se, megjithëse marrëveshjet janë ligjërisht të detyrueshme, palët nuk janë duke i zbatuar ato.
Në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që iu referua Allen, BE-ja ka thënë se për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.
Presidenti serb Vuçiq, ndërkohë, gjatë takimit i ka kërkuar Allenit që SHBA-ja ta rrisë angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Unë theksova presionet me të cilat përballet Serbia dhe serbët dhe kërkova nga SHBA që të rrisë angazhimin dhe ta përdorë ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar parakushte për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret”, shkroi Vuçiq në Instagram më 15 maj.
SHBA-ja e ka mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë dhe u ka bërë thirrje palëve vazhdimisht t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në të.
Ndërkohë, sipas njoftimit, Allen e nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm “për ta luftuar kërcënimin ndaj stabilitetit evropian dhe rajonal, siç është agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe përpjekjet e Kremlinit për të përhapur dezinformata”.
Serbia, megjithëse kandidate për anëtarësim në BE, nuk e ka përshtatur politikën e vet të jashtme me atë të Brukselit, duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje në shkurt 2022./Rel
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve