Në pritje të takimit Zaev-Tsipras në Sofje, optimizmi nuk është shuar

08:26 | 17 Maj 2018
Arbresh.info

Opinioni në Maqedoni dhe Greqi është në pritje të takimit të dytë tet-a-tet ndërmjet kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, ku pritet të diskutohet për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Ndonëse u shpresua se do të arrihet një marrëveshje deri në këtë takim, një gjë e tillë nuk po shihet në horizont, kurse deklaratat e fundit të palëve japin shenja negative, por optimiste se gjërat po lëvizin përpara, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Në takim pritet të rikonfirmohet ajo që është arritur në procesin e bisedimeve, që filloi në fund të vitit të kaluar në New York, pas tre vitesh ndërprerje.

Optimizmi se gjërat rrjedhin pozitivisht u shtua kur Maqedonia ndërroi emrin e aeroportit dhe të një auto udhe, nga Leka i madh në Aeroporti ndërkombëtar Shkupi, respektivisht në Miqësia.

Pozicionet greke vazhdojnë të mbeten të betonizuara në një marrëveshje të përbërë, ku do të përfshihet ndryshimi i Kushtetutës, dhe e gjithë kjo e finalizuar në një marrëveshje ndërkombëtare.

Pala maqedonase është shprehur për një marrëveshje të përbërë, me përcaktim gjeografik, pa hequr dorë nga termi “Maqedonia”, por nuk ka shprehur ndonjë qëndrim zyrtar rreth Kushtetutës, edhe pse më herët Zaev tha që për anëtarësim në BE, nëse duhet, mund të ndryshohet edhe Kushtetuta.

Takimi i sotëm konsiderohet si mjaft kyç, ndërsa njoftimet e të dyja palëve thonë se çështja ka arritur në pikat kritike të bisedimeve, dhe se të dy palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të pandryshuara, porse për çfarë bëhet fjalë konkretisht, ende nuk dihet.

Në këtë drejtim, mund të themi se një mostransparencë është duke e shoqëruar procesin e bisedimeve, pasi që nuk jepen të dhëna konkrete për disa aspekte të cilat sjpekulohen shumë në media.

Takimi i sotëm duhet të tregojë shumëçka rreth procesit të bisedimeve, nëse jo gjithçka.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme