Në pritje të protestës, Vuçiç: Nuk shqetësohem aspak

10:29 | 30 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Të shtunën është paralajmëruar protesta e katërt me radhë në Beograd, kundër dhunës politike në Serbi. Presidenti Aleksandar Vuçiç thotë se nuk do të shqetësohej sikur në rrugë të dalin edhe pesë milionë njerëz.

Protestat kanë filluar me 8 dhjetor. Të mbështetura nga një spektër i gjerë opozitar, të krahut të djathtë por edhe të majtë politik, mijëra demonstrues parakaluan disa herë rrugëve të Beogradit me kërkesën “Stop këmishave të përgjakura”.

Këto kërkesa i referohen zhvillimeve të fundit politike në Serbi, në veçanti pas rrahjes brutale të politikanit opozitar, Borko Stefanoviç, në fund të nëntorit në qytetin Krushevc. Aktorët e dhunës u kapën, por tashmë janë liruar.

Gjithnjë e më shumë serbë po mblidhen në frontin politik kundër dhunës dhe ofendimeve të opozitës nga ana e pushtetit, i cili po përpiqet të mbajë nën kontroll të plotë edhe mediat. E gjitha kjo ka elektrizuar atmosferën në vend.

Prej demonstratave të para me 8 dhjetor, çdo të shtunë në rrugët e Beogradit po mblidhen me mijëra njerëz. Forcimi i protestave i ka befasuar përfaqësuesit e qeverisë, të cilët kontrollojnë dy të tretat e deputetëve në parlament, por edhe opozitën e dobët dhe të përçarë.

Fytyrat kryesore të protestës janë aktore Branislav Trifunoviq dhe studiuesja e politikës Jelena Anasonoviq. Vuçiq dhe ministri i Brendshëm po përpiqen ndërkohë të ulin numrin e pjesëmarrësve në protesta, përmes mediave të kontrolluara.

Organizatorët thonë se të shtunën e fundit kanë protestuar mbi 40.000 njerëz. Ndërsa presidenti Vuçiç foli për 5000. Por forcimi i protestave e ka detyruar presidentin ta ndryshojë taktikën.

Ai fajësoi opozitën për fshehje pas demonstruesve, duke thënë “sikur edhe pesë milionë të dalin në rrugë, unë nuk do t’i plotësoja kërkesat e tyre”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme