Sonte në mesnatë mbyllet fushata për zgjedhjet parlamentare dhe balotazhit presidencial, që mbahen më 8 maj në Maqedoninë e Veriut. VMRO-DPMNE-ja me qëndrime nacionaliste shihet si partia me gjasa të mëdha për t’i fituar zgjedhjet, por kështu edhe kandidatja e kësaj force për president, nëse votuesit shqiptarë në veçanti nuk shfaqin interes për ta votuar garuesin e moderuar social-demokrat.
Fushata presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut angazhoi protagonistët në një retorikë të ashpër dhe sulme të ndërsjella. Raundi i parë i presidencialeve vuri në dukje dëshpërimin e një pjese të mirë të elektoratit të social-demokratëve dhe orientimin e votave në llogarinë e partive nacionaliste maqedonase.
Vlerësohet se zvarritja e proceseve të integrimit evropian të vendit, që duket të ketë rezultuar edhe me rënien e besimit tek BE-ja nga banorët e Maqedonisë së Veriut bëri që social-demokratët e Dimitar Kovaçevskit të dalin në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me 180 mijë vota kundrejt 360 mijë votave sa mori VMRO-DPMNE-ja.
Kjo e fundit është përqendruar tek kritikat, por dhe akuzat për korrupsionin e lartë të qeverisë duke i premtuar elektoratit se pas zgjedhjeve të 8 majit “ata të cilët u pasuruan me para të buxhetit të shtetit do të japin llogari”.
Nga ana tjetër, partitë qeveritare LSDM dhe BDI, secila me koalicionet e tyre veç e veç kanë për moto vazhdimin e rrugës evropiane, ndërsa BDI-ja ka vënë theksin, sidomos tek rreziku nga ndikimi rus dhe rënien pré të opozitës shqiptare ndaj këtij ndikimi.
BDI-ja arriti të bashkojë rreth koalicionit të quajtur “Fronti Evropian” përfaqësues politikë që për vite të tëra sulmoheshin dhe nuk komunikonin mes tyre, por akti i bashkimit duket se u mirëprit nga shqiptarët dhe nga ana tjetër, edhe bashkimi i opozitës shqiptare të njohur me emrin “VLEN”, sipas analistëve, “nuk do të çojnë dëm” votën e elektoratit shqiptar.
Të hënën në mesnatë përfundojnë aktivitetet politike dhe hyn në fuqi heshtja parazgjedhore. Sipas pritjeve, VMRO-DPMNE-ja shihet si fituese e zgjedhjeve parlamentare, por edhe e atyre presidenciale, nëse elektorati shqiptar nuk del në numër të madh për të votuar Stevo Pendarovskin e LSDM-së.
Ndërsa VMRO-ja e sheh veten në krye të qeverisë së re pas zgjedhjeve të së mërkurës, partitë shqiptare po zihen se kush duhet të jetë pjesë e kabinetit të ri.
Fronti Evropian shpreson në mbështetjen edhe të komunitetit turk, rom e boshnjak.
“Më 8 maj duhet të zgjidhni: a do të votoni për ata që bënë historinë, apo për ata që nuk dinë dy hapa përpara t’i bëjnë”, tha zoti Ali Ahmeti, drejtues i koalicionit “Fronti Evropian” në një tubim përmbyllës në sheshin e Tetovës.
Koalicioni VLEN ka organizuar dhe ardhjen e një numri mërgimtarësh në vendlindje për të votuar; ata mund të votojnë në shtetet ku banojnë vetëm për presidentin e vendit por jo dhe për zgjedhjet parlamentare.
“Rritja e numrit të votuesve do te jetë evident këto ditë dhe fitorja do te vijë pa dyshim. Vërtet, sepse ne të gjithë si shqiptarë besojmë se ndryshimi ia vlen”, u shpreh zoti Afrim Gashi i koalicionit ‘Vlen”.
Pak mbi 1 milion e 800 mijë banorë kanë të drejtë vote. Në zgjedhjet parlamentare marrin pjesë 17 parti, koalicione ose lëvizje qytetare. Vëzhguesit e ODIHR-it, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian do ta ndjekin procesin, poashtu dhe disa qindra vëzhgues të vendit./voa/
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit