Në mbështetje të Vuçiqit serbët e Kosovës nisen drejt Serbisë

10:35 | 31 Maj 2022
E.H

Para Kuvendit të Serbisë pritet që të mblidhen rreth 150 deri në 200 serbë nga Kosova, të cilët janë vetëorganizuar, ku do të shoqërohen nga përfaqësues të Listës Serbe.

Disa autobusë me serbë nga Kosova janë nisur herët në mëngjes drejt Beogradit për të mbështetur presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili sot do të bëjë betimin në Kuvendin e Serbisë, raporton Kosovo-Online, transmeton arbresh.info.

Serbët, të cilët u nisën drejt Serbisë në orët e hershme të mëngjesit, thanë se nuk ishte e vështirë për ta të ngriheshin herët dhe të udhëtonin në kryeqytet për të mbështetur Vuçiqin pasi siç tha ata “ai ishte gjithmonë me ta kur ishte më së shumti e nevojshme”.

Serbët nga Kosova thanë se presin që në mandatin e ardhshëm Vuçiq të luftojë për interesat e popullit serb në Kosovë.

Ndryshe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do të bëjë betimin në Kuvendin Kombëtar për mandatin e dytë presidencial.

Seanca e posaçme e Kuvendit është caktuar për në orën 11:00.

Më 3 prill, Vuçiq fitoi raundin e parë të zgjedhjeve të rregullta presidenciale me 58.59 për qind të votave të përgjithshme./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme