Në Maqedoninë e Veriut më 22 maj po rivotohet në shtatë vendvotime në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore, që mund të ndryshojnë numrin e mandateve të fituara nga partitë politike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Në këto vendvotime të drejtë vote kanë 4.513 qytetarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit u janë drejtuar kutive të votimit.
Rivotimi mbahet pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative.
Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit.
Në njësinë e pestë zgjedhore që përfshin pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut votohet në gjashtë vendvotime në Ohër, Strugë, Krushevë dhe Dollneni.
Në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin rajonin e Tetovës në pjesën perëndimore të vendit të banuar me shqiptarë, rivotohet në një vendvotim në fshatin Llërc.
Rivotimi mund të ndryshojë raportet mes forcave në Kuvend.
Në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 mandate, Fronti Evropian që drejtohet nga BDI-ja 19, koalicioni VLEN 18 mandate, dhe nga gjashtë mandate partia E Majta dhe Lëvizja ZNAM.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar VMRO DPMNE-në, LSDM-në dhe koalicionin VLEN për “rivotim të kurdisur” me qëllim të, siç ka thënë, marrjes së dy mandateve në këto dy njësi zgjedhore.
VMRO DPMNE-ja që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pret që nga rivotimi të marrë edhe një mandat më shumë siç pret edhe koalicioni VLEN.Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen 20 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.
Pas rivotimit më 22 maj, KSHZ-ja pritet t’i certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas çka nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së.
Nga kjo parti presin që Qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor./REL
Ahmeti, Qeverisë së Kosovës: Mos heshtë për shqiptarët në RM...
Të paktën 11 të vrarë, 89 të plagosur nga sulmi rus në Ukrai...
4.9 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Kumba...
Fshehën kokainën në lëkurë të kafshëve, të dyshuarit dalin s...
Ismaili: Sektori financiar në Kosovë stabil dhe mirë i kapit...
“E lirë je prej meje”, a po ftohen raportet mes Gjestit dhe ...