Google ADS

Në Maqedoni kërcënon kushdo dhe sido

16:19 | 28 Shkurt 2017
Arbresh.info

Jetojmë në një shoqëri të komunikimit, të mediave, por ende jo në një shoqëri të së vërtetës. Njerëzit nuk e thonë të vërtetën kur iu preken gjëra thelbësore. Thonë të vërteta pa rëndësi, gati banale, shpesh budallallëqe, kështu do të thoshte publicisti dhe akademiku i njohur shqiptar Artan Fuga edhe për gjuhën e urrejtjes.

Duke marrë parasysh se kohëve të fundit, sidomos në rrjetet sociale, gjuha e urrejtjes në Maqedoni është riaktivizuar nga OJQ anonime në Facebook, ku nuk dihet se kush qëndron prapa tyre. Ndonëse gjuha e urrejtjes nuk është fenomen i ri, por ndoshta shkakton probleme të reja, kështu për Telegrafi Maqedoni kanë vlerësuar, profesori i shkencave sociale në Gjimnazin e Tetovës, Sheval Latifi, kreytari i SHGM-së për Pollogun, Bashkim Sulejmani dhe Petrit Saraçini, aktivisti i shoqërisë civile.

Për profesorin Sheval Latifi, gjuha e urrejtjes është produkt i politikës ditore dhe se pasojat janë në forma të ndryshme.

‘Mendoj se gjuha e urrejtjes është produkt i politikës ditore, prandaj nuk besoj se ekziston ndonjë matës preciz për pasojat eventuale. Nuk mund paraprakisht të dimë se deri ku mund të shkojnë interesat dhe qëllimet e porositësve. Hipotetikisht, ata mund të mbeten vetëm fjalë dhe pas një kohe të vendosen sërish në ‘gjumë’ që të ‘zgjohen’ sërish ne momente të nevojshme që për pasojë do të kishte vazhdimin e situatës konfuze, anarkisë dhe promiskulitetit. Kjo mund të rezultojë me ekcese të tipit të mbyllur, domethënë mes përkatësive të ndryshme partiake të kampit maqedonas, në incidente të hapura ndër etnike, por të mbyllura. Domethënë aty-këtu sa për të ruajtur status quo-n, por mund të rezultojnë edhe me pasoja të paparashikueshme, me përmasa të medha. Kreatorët e politikes ditore për të ruajtur poziten e tyre duket se janë të përgatitur për gjithçka, por mendoj se nuk janë aq naiv që të nxitin konflikte të përmasave katastrofale. Do t’i përdorin për të mbrojtur aq sa mund të mbrohen, më vonë t’i heshtin me qëllim t’i ripërdorin në momente të caktuara. Në çdo situatë, pasojat cilado qofshin ato, i ndjejnë qytetarët e zakonshëm, në formë të krizave ekonomike, sociale, poltike, etnike, fetare, e me radhë, si dhe pasigurisë së vazhdushme’, thekson Latifi.

Gjuha e urrejtjes nga OJQ-të apo cilët do qofshin, për këtë ka faj OBRM-PDUKM. Janë organizata të formuara nga partia në pushtet, OBRM-ja, e cila tani si maskë për të mos marrë pikë negative, nxit këto “OJQ” që të dalin me gjuhën e urrejtjes, kështu vlerëson kryetari i SHGM-së për Pollogun, Bashkim Sulejmani.

‘Dalja e OJQ-ve “anonime” me fjalor të urrejtjes nuk është diçka e re në vendin tonë. Por më duket pak qesharake nëse ne i quajnë këto organizata si OJQ, sepse të njëjtat aspak s`kanë të bëjnë me OJQ-të. Ata e dinë të gjithë se janë organizata të formuara nga partia në pushtet, OBRM-ja, e cila tani si maskë për të mos marrë pikë negative, nxit këto “OJQ” që të dalin me gjuhën e urrejtjes.

Qëllimi i tyre dihet mirëfilli! Dalja e OBRM-së nga qeveria rrezikon shumë anëtarë të saj që të përfundojnë në burg sepse (sipas “bombave”) ata janë të zhytur deri në fyt me skandale korruptive dhe afera të ndryshme ku kanë pësuar personat e pafajshëm. Krijimi i trazirave në shtet në këtë kohë, do të ishte një përfitim në kohë për OBRM-në që t`iu ikë akuzave dhe eventualisht burgosjes së tyre por, besoni kjo është gjë e pamundur, sepse e gjithë Evropa (në të cilën ne synojmë) synon drejtësinë dhe e njëjta duhet patjetër të vihet në binarë qoftë nga LSDM apo OBRM, pa marrë parasysh se kush është në qeveri. Sepse tek e fundit, OBRM nuk është Gruevski por janë anëtarët e saj dhe, të njëjtët nuk duhet të sakrifikojnë çdo gjë për një dy apo tre individë që kanë përfituar personalisht në kurriz të qytetarëve.
Pasojat do të jenë të rënda, sepse si tek shqiptarët po ashtu edhe tek maqedonasit, për fat të keq ka ende njerëz që “mendojnë” me kokë boshe, dhe që ende iu duket patriotizëm nëse vrasin dikë të nacionalitetit tjetër, apo ia cenojnë lirinë dhe të drejtën dikur. Rezultatet nga trazirat eventuale kam frikë se mund të jenë fatale dhe jashtë kontrollit institucional’, deklaron Sulejmani.

Nga ana tjetër aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Saraçini e vë theksin e gjuhës së urrejtjes tek institucionet, gjegjësisht padënueshmëria.

‘Problemi kryesor me gjuhën e urrejtjes është mosdënueshmëria. Organet kompetente të shtetit, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë nuk merren me këtë problem, i cili nuk është problem i natyrës së lehtë por është vepër penale. Këta dy organe duhet të merren me detyrë të shërbimit që e kanë, me problemin e gjuhës së urrejtjes. Kjo që po shfaqet kohëve të fundit nuk është fenomen i ri, gjuha e urrejtjes dominon në Maqedoni, veçanërisht në internet. Ajo e cila është më e shfaqur është gjuha e urrejtjes në baza etnike dhe fetare dhe shpeshherë përdoret prej qarqeve të cilët sundojnë me median, qarqet e fuqive politike për të defokusuar opinionin nga problemet e vërteta të qytetarëve. Domethënë mosdënueshmëria ëshë shkaku kryesor. Ne kemi legjislativë bukur të mirë e cila e adreson gjuhën e urrejtjes. Ka disa nene në Kodin penal, ku legjislativa i ka kushtuar mjaftë vëmendje kësaj çështje, duke e vendosur në Kodin penal. Viteve të fundit u hoq sanksioni i cili ishte në ligjin për media, tash aty vetëm mund të konstatohet fyerje e ligjit për shkak të gjuhës së urrejtjes, mirëpo organet mediatike siç është Agjencioni për media nuk ka komptenca të bëjnë ndonjë veprim ndaj fyerësve. Mirëpo ai që mund të bëjë është gjyqi. Për gjuhë të urrejtjes teknikisht apo teoritikisht në Maqedoni mund të shkosh edhe në burg. Ja e keni nenin 394 në Kodin penal i cili flet për përhapje të urrejtjes përmes sistemit kompjuterik. Asnjëherë nuk është përdorur. Ligjet ekzistojnë mirëpo në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur deri më sot asnjë rast që dikush është dënuar për shkak të gjuhës së urrejtjes’, vlerëson Saraçini.

I pyetur nga Telegrafi sesi është e mundur që rastet që kanë të bëjnë me gjuhën radikale të grupeve fetare, rrjetet sociale merren si referencë kurse rastet me gjuhë të urrejtjes në baza etnike, rrjetet sociale nuk merren parasysh, Saraçini thotë se kjo tregon veprimin selektiv të organeve të cilët janë akoma në ndikimin e fuqishëm të partive që qeverisin vite me radhë. Partitë e kanë kapur shtetin, institucionet dhe ata tani ata veprojnë në bazë të ligjit por në bazë të preferencave partiake. Derisa është ashtu, ligji për dikë do të jetë nënë, për dikë njerkë.

Për gjuhën e urrejtjes sigurisht mba përgjegjësi shoqëria por organet kompetente e mbajnë përgjegjësinë më të madhe. Ligji parashikon dënime të ndryshme për gjuhën e urrejtjes, por deri më tani nuk është zbatuar një gjë e tillë dhe me siguri kjo i bën që personat që përdorin gjuhë fyese drejt ndonjë komuniteti të caktuar, të vazhdojnë me këtë praktikë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme