Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit vërehen gjithnjë e më shumë turistë të huaj

14:36 | 3 Gusht 2019
Arbresh.info

Këtë verë, Shkupi është bërë tërheqës për shumë turistë të huaj. Frekuentim më i madh i tyre vërehet në pjesën e Çarshisë së Vjetër. Disa nga turistët e anketuar nga Alsat thonë se multi-kulturalizmi është ajo që më së shumti i tërheq ata për ta vizituar Maqedoninë e Veriut.

“Unë dua të shoh objektet historike këtu dhe kulturën. Këtu ka kaq shumë kultura të ndryshme. Sot është dita e dytë që po qëndroj në Shkup, gjithsej tre ditë do jem këtu. Vijmë nga Gjermania, ndërsa jemi turq”.

“Ne do qëndrojmë katër ditë këtu. Kjo është hera e parë që ne po vijmë këtu, jam me familjen. Ne do shkojmë edhe në Ohër pastaj do kthehemi përsëri këtu”.

Ndërkohë Zanatçinjtë e Çarshisë ankohen se fuqia blerëse ka rënë, ndërsa turistët janë të orientuar më së shumti për ushqimet tradicionale se sa për blerje të gjërave interesante.

“Ne jemi dyqan zanatçi, që posedon materiale të lëkurës. Punojmë çfarë do të dojë myshteriu. Vitin e kaluar ishin më të interesuar turistët për gjërat tona, tani vijnë më shumë turistë të cilët janë të interesuar të shohin bukuri të vendit si dhe të provojnë ushqime të vendit por jo të blejnë. Mendimi im është se Çarshia duhet ta ketë një baba, ai baba i cili do të kujdeset për Çarshinë” – shprehen nga Esnafi i Çarshisë.

“Sivjet nuk ka aq shumë turistë, dy vitet e kaluara ka pasur shumë turistë, këtë vit më pak. Por ende ka kohë dhe jemi në pritje të turistëve. Rruga jonë këndej, vjet dhe parvjet ka qenë e mbushur me turistë, çdo ditë vere ka pasur njerëz janë ulë për kafe, për të hëngër mëngjes, për të pirë çaj, por këtë vit nuk ka aq shumë” – tha Selajdin Asani, zanatçi.

Pronarët e bizneseve në Çarshinë e Shkupit thonë se këtë vit për dallim nga vitet e shkuara, ka më pak vizitor turq, ndërsa vërehet prezencë më e madhe e turistëve rus, amerikanë, suedez, danez dhe anglez.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme