Mijëra persona kanë protestuar të shtunën në Beograd, për t’i kundërshtuar planet për mihje të një miniere të litiumit në Serbi, dhe më pas kanë bllokuar dy stacione hekurudhore.
Ata fillimisht kanë marshuar prej qendrës së Beogradit drejt urës Gazella, dhe më pas janë ndarë në dy grupe, për t’i bllokuar stacionet: Prokop dhe Novi Beograd.
Protestuesit janë parë nëpër binarë të hekurudhave dhe kështu është pamundësuar kalimi i trenave.
Në këto dy stacione nuk janë parë forca policore dhe protestuesit kanë realizuar planet e tyre pa ndonjë incident, raportojnë gazetarë të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
“Nuk ka kthim mbrapa, ne po e mbrojmë Serbinë”, ka thënë Zllatko Kokanoviq prej Asociacionit “Nuk e japim Jadarin”, në nisje të protestës.
“Nuk do të ketë minierë” – është mesazhi që po çojnë përpara protestuesit.
Kompania australiane, Rio Tinto, që pritet ta jetësojë projektin për minierë të litiumit, ka thënë se në protestë janë bërë deklarata dashakeqe ndaj projektit.
Mijëra persona mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë.
“Duket se jemi kemi rënë viktimë e një kolonie të ardhshme minerare. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Prandaj jemi këtu për të ngritur zërin, për t’u mos pajtuar, dhe për të mbrojtur mbijetesën e shtetit tonë”, ka thënë aktorja dhe aktivistja për mbrojtje të ambientit, Svetllana Bojkoviq, para protestuesve.
Profesoresha Dragana Gjorgjeviq, e Fakultetit të Kimisë, ka thënë se dëmi prej minierës është i pariparueshëm.
“Plehrat e mbetura të së kaluarës kanë qenë helmuese për shekuj, nëse jo mijëvjeçarë. Ne veçse kemi vende të tilla në Serbi. Mirëpo ajo minierë nuk ka qenë aq intensive, sa kjo që po planifikohet sot”, ka thënë ajo.
Protestuesit kanë mbajtur në duar mbishkrimet, “Ndal Rio Tinto, nuk do të gërmosh”, “Jo mihjes, eksploatimit, emigrimit”, “Rio Tinto, largohu prej Serbisë”.
Kjo është njëra prej 50 protestave që kanë mbajtur serbët, duke nisur prej fundit të qershorit.
Organizatorët e protestës në Beograd, Zllatko Kokanoviq dhe Nebojsha Petkoviq, kanë thënë se janë ftuar për intervistim prej Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA), pak para se të niste marshi.
Ata kanë bërë të ditur në faqen e tyre në Facebook se janë liruar pas një bisede të shkurtër dhe janë paralajmëruar që, bllokadat e përfolura pas protestës, janë ilegale, dhe që duhet të bëhen gati për t’u përballur me pasoja.
Rio Tinto: Fushatë dashakeqe kundër projektit Jadar
Pas protestës së 10 gushtit, Rio Tinto ka vlerësuar se “është duke u kryer fushatë intensive e dezinformimit kundër projektit Jadar, përmes së cilës po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta, kinse projekti do të ketë ndikim shkatërrues në ambient dhe në shëndetin e njerëzve”.
Në deklaratën e kompanisë është thënë se pretendime të tilla “përgënjeshtrojnë faktet shkencore të konfirmuara prej ekspertëve të pavarur”.
Rio Tinto ka thënë, po ashtu, dhe folëset në protestë, Dragana Gjorgjeviq dhe Svetllana Bojkoviq, janë duke dezinformuar publikun me deklaratën për minierën.
Kundër-protesta në Beograd
Në afërsi të protestës kundër minierës, është duke u mbajtur edhe një kundër-protestë, e thirrur prej organizatës pak të njohur, “E denjë për Serbinë”.
Disa përfaqësues të organizatës janë parë me flamuj serbë dhe rusë nëpër duar.
Ata kanë ngritur disa tenda ditë më parë, për të parandaluar, siç kanë thënë, “mashtrimin sikurse ka ndodhur më 5 tetor”, duke aluduar në revolucionin e vitit 2000, kur është përmbysur regjimi autokratik i Sllobodan Millosheviqit.
“Nuk jemi duke protestuar, jemi për t’i informuar njerëzit, sepse po përgatitet mashtrimi”, ka thënë Liljana Markiqeviq.
Sipas Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve, kjo organizatë është themeluar më 2017. Në mesin e synimeve të përmendura në statut të saj janë anëtarësimi në Bashkimin Euroaziak, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak me Rusinë dhe Kinën, si dhe anulimi i marrëveshjeve të Brukselit, të nënshkruara më 2013 nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Në maj të vitit 2023, mbështetësit e kësaj organizate kanë penguar protestat kundër regjimit, “Serbia kundër dhunës”, kanë hyrë në ndërtesën e Radiotelevizionit të Serbisë dhe kanë penguar punën e gazetarëve.
Sipas të dhënave publike, përfaqësues ligjor i organizatës është Bogdan Popara.
Sipas raportimeve në media, të vitit 2016, Popara ka qenë dekan i Fakultetit për Menaxhim Strategjik dhe Operacional, institucion privat i palicencuar.
Informacionet për këtë institucion janë të pakta dhe fakulteti nuk ka as faqe zyrtare.
Më 11 korrik, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka rrëzuar vendimin e Qeverisë paraprake serbe, e cila e ka pezulluar projektin “Jadar”, të kompanisë australiane “Rio Tinto”, më 2022.
Pushteti pretendon se synimi i protestës është rrëzimi i Qeverisë
Zyrtarë të shumë qeveritarë janë deklaruar për protestat, dhe janë pajtuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se qëllimi kryesor i protestës së 10 gushtit është “rrëzimi i Qeverisë”.
Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Ambientalistët, në anën tjetër, dhe një pjesë e publikut, besojnë se pasojat janë të pakthyeshme për ambientin.
Litiumi përdoret për të prodhuar bateri të telefonave mobilë, kompjuterëve dhe makinave elektrike.
Pezullimi dhe ringjallja e projektit Jadar
Kompania Rio Tinto e ka zbuluar më 2004, një kombinim të litiumit dhe borit, në perëndim të Serbisë.
Rezervat e këtij metali në Serbi vlerësohet se shkojnë në 158 milionë tonë.
Megjithatë, Qeveria e udhëhequr prej ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, e pati ndalur punën në këtë projekt, pas protestave masive, dhe pati pezulluar licencën për Rio Tinton.
Por, zyrtarët serbë e kanë rikthyer projektin sërish në jetë.
Vuçiq ka thënë për të përditshmen “Financial Times” në qershor se Rio Tinto ka dhënë garanci të reja dhe që Bashkimi Evropian u është përgjigjur shqetësimeve për standarde të mjedisit.
Bërnabiq, tani kryetare e Kuvendit të Serbisë, ka thënë se, do të jetë “jonormale” nëse Serbia çon përpara minierën e litiumit, dhe që ky shtet ka standarde strikte për ambientin.
Rio Tinto i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë që ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë, kanë konfirmuar që projekti Jadar do të finalizohet në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet më të larta.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve.
Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i eksploatimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës.
Xheneta për Gjestin: Kur ka kajt për mua, me ka bërë krenare...
Gjykata Kushtetuese konfirmon një nga masat e sigurisë ndaj ...
Brazil, ish-presidenti akuzohet për “grusht shteti” kundër d...
Krasniqi për vdekjen e Sabri Popajt: Një shqiptar i rrallë, ...
Deklarata e Drenushës për Xhenetën, shkakton debat të zhurms...
Slot në afër thyerjes së një tjetër rekordi në Premier Leagu...