Në 1-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, Qeveria Zaev rifreskon raportet me Kinën

16:26 | 30 Mars 2021
Arbresh.info

Rifreskohen marrëdhëniet mes vendit dhe Republikës Popullore të Kinës.

Ministri kinez i mbrojtjes Vei Fenghe gjatë qëndrimit në Shkup- me kryeministrin Zaev kanë biseduar për përshpejtimin e sjelljes së 200 mijë vaksinave kineze por edhe heqjen e vizave mes dy vendeve.

Ndërkaq Presidenti, Stevo Pendarovski i ka premtuar Fengheit se vendi do të bashkëpunojë me Kinën në kornizë të “Procesit të bashkëpunimit 17+1”.

Për ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kinë, Oliver Shambevski vizita e ministrit kinez të mbrojtjes është e rëndësishme që mund të thellojë marrëdhëniet dypalëshe. Sipas tij, pavarësisht se vendi është pjesë e NATO-s, e ka të domosdoshme bashkëpunimin edhe me Kinën.

“Nuk bëhet fjalë për “Diplomaci vaksinash”. Thjeshtë çdo shtet duhet të bëjë çmos për të siguruar vaksina- Oliver Shambevski, ish ambasador në Kinë.

Përmes procesit të bashkëpunimit 17+1, Kina synon ta realizojë qëllimin gjeostrategjik të saj për korridorin ekonomik dhe transportues të njohur si “Rruga e re e Mëndafshit”.

Shambevski thotë se ka potencial për realizimin e “Rrugës së re të Mëndafshit”, por kjo duhet të ndodhë vetëm nëse sigurohen përfitime për të gjitha shtetet që përfshihen.

“Kjo po realizohet përmes lidhjeve hekurudhore, përshpejtimin e transportit të mallrave. Shikoni çfarë ndodhi në Kanalin e Suezit para disa ditëve. Linja alternativë nga Çon Çing deri në Holandë vërtetë mund të ofrojë përgjigje për këso krizash. Kjo iniciativë mund të zgjerohet, por qëllimet duhet të jenë të ndershme nga të gjitha palët. Nëse nuk ka këso qëllimesh, nuk do të funksionojë- tha SINKRON- Oliver Shambevski, ish ambasador në Kinë.

Gjithsesi, në kohën kur Qeveria synon ta thellojë bashkëpunimin ekonomik me Kinën, ndërsa Ministria e Jashtme paralajmëron revitalizim të diplomacisë ekonomike, funksioni i ambasadorit në Peking ka mbetur vakant që nga qershori i vitit 2016, kur i përfundoi mandati ambasadorit, Ilija Isajllovski. Nga Ministria e Jashtme thonë për Alsat se vijon procedura qeveritare për emërimin e ambasadorit të ri në RP të Kinës dhe se pret që deri në fund të vitit të plotësohet edhe ky pozicion./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme