Ministri për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut, Orhan Murtezani, thotë se Raporti i Progresit i këtij viti, i dorëzuar nga Komisioni Evropian (KE) një javë më parë, rikonfirmon se Maqedonia e Veriut është e përgatitur të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Megjithatë, ai theksoi se vendi duhet të jetë i vetëdijshëm që integrimi në BE është më shumë se “përmbushje e standardeve teknike”.
Deklaratat e Murtezanit erdhën gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, të titulluar “Perspektiva për një të ardhme të përbashkët, dhe Marrëdhëniet BE-Turqi”. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadorët e Hungarisë dhe Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Andras Klein dhe Fatih Ulusoy.
“Ne kemi hyrë tashmë në një fazë kyç të adresimit të kritereve fillestare për kapitullin e parë mbi sundimin e ligjit dhe parimet themelore. Për më tepër, kemi paraqitur harta rrugore që adresojnë reformat në drejtësi, të drejtat e minoriteteve dhe reformat e administratës publike. Secila prej tyre është një qëllim, ashtu edhe një angazhim, që demonstron kapacitetin tonë për të ndërmarrë ndryshime të qëndrueshme e të vërteta”, tha Murtezani.
Për rrjedhojë, kapitulli i parë që përmendi ministri Murtezani përfshin reforma thelbësore në fusha si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, si dhe përmirësimi i transparencës dhe lufta kundër korrupsionit. Për hapjen e këtij kapitulli janë përcaktuar dy kushte kryesore: përmbushja e vlerave themelore dhe përgatitja e udhërrëfyesit për sundimin e së drejtës, si dhe përgatitja e udhërrëfyesit për reformën në administratën publike.
Ambasadori i Hungarisë, Andras Klein, shteti i të cilit ka kryesimin e presidencës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, vlerësoi përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të përmbushur kriteret e anëtarësimit, duke përmendur agjendën e reformave si një shembull që i mundëson vendit përfitime të konsiderueshme financiare nga Plani i Rritjes së BE-së.
Në anën tjetër, ambasadori i Turqisë, Fatih Ulusoy, theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe BE-së dhe mbështeti procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Turqia është e angazhuar për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij evropiane”, tha ambasadori turk, duke shtuar se marrëdhëniet me Bashkimin Evropian janë thelbësore për një të ardhme të qëndrueshme dhe të përbashkët, por shtoi se “BE-ja nuk duhet të lejojë që interesat strategjike të saj të dëmtohen nga disa shtete anëtare që abuzojnë me solidaritetin e anëtarësimit dhe të drejtën e vetos”.
Samiti i radhës BE – Ballkani Perëndimor, më 18 dhjetor
Klein njoftoi se më 18 dhjetor do të ketë edhe një samit të vendeve të BE-së me rajonin, në Bruksel.
“Shpresoj që do të ketë mesazhe të rëndësishme dhe thelbësore politike për Ballkanin Perëndimor”.
“Ne, do të bëjmë çfarëdo që mundemi për të promovuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut. Nuk varet nga ne, por derisa të ekzistojë mundësia, ne nuk do të dorëzohemi”, theksoi Klein.
Gjatë vizitës dyditore (25 dhe 26 shtator) të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Maqedoninë e Veriut, doli lajmi nga Brukseli se Shqipëria do të hapë kapitujt e parë të negociatave të pranimit me BE-në, duke u ndarë zyrtarisht nga Maqedonia e Veriut, edhe pse të dyja shtetet ishin në proces të përbashkët kur nisën negociatat para dy vjetësh.
Një vendim i tillë u mor nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së më 25 shtator. Arsyeja ishte se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës minoritetin bullgar.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski gjatë intervistës dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Për Qeverinë në Shkup, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse bëhen ato ndryshime, të bëhen me zbatim të prolonguar.
Pak ditë më parë, Arben Taravari, lider i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, dhe një nga drejtuesit e koalicionit shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë maqedonase, deklaroi se është optimist që deri në vitin e ri do të ketë zgjidhje për ndryshimet kushtetuese.
“Do të ketë ndryshime kushtetuese, mendoj. Unë jam shumë optimist se deri vitin e ri do të gjejmë mundësi për ndryshimet kushtetuese”, deklaroi të dielën Taravari, gjatë Kongresit të pestë të jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët.
Radio Evropa e Lirë u mundua të pyesë ministrin Murtezani gjatë ngjarjes së mërkurës për mundësinë e realizimit të ndryshimeve kushtetuese deri në fund të këtij viti, por nuk mori një përgjigje,/rel/
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i realizuan stërvitje të...