Google ADS

Mungesa e pasaportave të reja: Sytë kah Shqipëria dhe Mali e Zi për pushime

20:15 | 4 Maj 2024
R J

Mile Jovanovski me dy fëmijët e tij dhe bashkëshorten, këtë vit pushimet verore do t’i kalojnë në Shqipëri. Këtë vendim e ka marrë pasi, siç thotë ai, ka kosto të lartë që të gjithë përnjëherë t’i ndryshojnë dokumentet për udhëtim me emrin e ri të shtetit, Maqedoni e Veriut.

“Nuk kam pasaportë, ndryshe zakonisht kemi shkuar për pushime në Greqi, por pasi bisedova me bashkëshorten, ramë dakord që pushimet këtë verë t’i bëjmë në Shqipëri. Për të nxjerrë katër pasaporta të reja me procedurë të shpejtuar, do të na nevojiten më shumë se 400 euro, ndërkohë që nuk ka terminë të lirë për të nxjerrë pasaportën me procedurë të rregullt”, thotë Mile Jovanovski.

Ndërsa, Daria dhe Ilinka, që të dyja studente, thonë se nuk do të shkojnë askund, apo mbase ca ditë në Ohër sepse nuk kanë pasaportë.

“Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten si opsion pasi mund të udhëtohet atje me letërnjoftim”, thotë Daria.

Derisa Roza Dimitrievska thotë se do të shkojë te djali në Maltë dhe për këtë është kujdesur që në vitin e kaluar të pajiset me pasaportën e re.

“Do të shkoj në Maltë te djali, i cili tashmë disa vite jeton atje me familjen. Për të qenë afër tij, sapo filluan të jepen pasaportat me emrin e ri të shtetit, aplikova për ta marrë pasaportën e re ndryshe do të isha e bllokuar”, tregon Roza Dimitrievska.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut me dokumentet e vjetra, gjegjësisht në të cilat nuk figuron emri i ri i shtetit, nga shkurti i këtij viti, në bazë të Marrëveshjes së Prespës që imponuan dhe ndryshimin e Kushtetutës, nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të presin më shumë se dy muaj për marrjen e pasaportave me emrin e ri të shtetit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut nuk japin të dhëna se sa qytetarë deri më tani janë pajisur me dokumentet e reja, vetëm theksojnë se deri më 17 prill të këtij viti për t’u pajisur me pasaporta me emrin e ri të shtetit në qendrat për të dhënat biometrike kanë aplikuar rreth 1 milion e 500 mijë qytetarë.

Kurse, për t’u pajisur me letërnjoftime të reja kanë aplikuar 1 milion e 268 e 880 qytetarë.

Operatorët turistikë në Shkup thonë për Radion Evropa e Lirë se është rritur interesimi i qytetarëve që pushimet verore t’i kalojnë në Shqipëri dhe në Malin e Zi, ku mund të udhëtohet me letërnjoftim, por ende nuk ka rezervime më shumë se vitin e kaluar pasi, siç thonë, qytetarët shpresojnë që do të mund të pajisen me pasaportat e reja.

Aziz Jashari nga agjencia Aloha Travel nga Tetova, thotë se në fund të vitit të kaluar dhe fillim të vitit është ndier kriza e mungesës së dokumenteve të udhëtimit. Por tani, thekson ai, realizohen udhëtimet e rregullta – qofshin ato të fundjavave në Turqi por edhe aranzhimi i pushimeve në Turqi, pothuajse është i njëjti.

“Mendoj se tash shumë pak njerëz janë që nuk i kanë dokumentet e reja të udhëtimit, mendoj ata që udhëtojnë. Si agjenci, merrem dhe me transferimin e parave nga jashtë vendit, i shërbejmë rreth 30 klientë, pjesa më e madhe e tyre i kanë dokumentet e reja personale”, thotë ai.

Ndërkohë nga qendrat turistike në vend si Ohri, Struga, Dojrani, Prespa thonë se këtë vit, për shkak të mungesës së dokumenteve të udhëtimit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut i kanë plotësuar të gjitha kapacitetet e tyre gjatë festave të majit dhe Pashkëve.

Donço Nacev nga agjencia turistike Arbo Travell, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet në këto qendra turistike janë rritur.

“Çmimet janë më të larta për 20 për qind, si në Greqi ashtu edhe në Maqedoni (të Veriut). Madje edhe akomodimi në apartamentet private do të jetë më i shtrenjtë, megjithëse nuk ka ndonjë ndryshim për sa i përket çmimeve në dyqane për ushqim”, thotë ai.

Ndërkaq, edhe agjencia për organizmin e udhëtimeve turistike, Inter Trave, pohon se çmimet në hotelet në Ohër dhe destinacionet e tjera turistike në Maqedoninë e Veriut krahasuar me një vit më herët, janë rritur nga 10 deri 20 për qind:

“Që nga Viti i Ri, pjesa më e madhe e hoteleve janë rezervuar nga operatorët e huaj turistikë. Turistët vendorë rezervimet për akomodimin në apartamentet private e bëjnë në qershor apo korrik pasi kanë shpresë se deri atëherë do të mund të pajisen me pasaporta”.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, gjatë vitit të kaluar Maqedoninë e Veriut e kanë vizituar 734.139 turistë të huaj ndërsa janë evidentuar 434.591 turistë vendorë.

Në bazë të këtyre të dhënave, numri i turistëve krahasuar me vitin 2022 është rritur për 20.6 për qind.

Operatorët turistikë thonë se viteve të fundit është në rritje numri i turistëve të huaj, të cilët në formë të organizuar përmes fluturimeve charter në Ohër, vijnë nga vendet skandinave si Holanda, Norvegjia, Suedia dhe së fundmi edhe Polonia, megjithatë numri më i madh i turistëve të huaj është nga vendet fqinje, gjegjësisht Shqipëria, Bullgaria Kosova Serbia dhe Turqia.

Të ngjashme