MSh në Maqedoninë e Veriut: Gjendja epidemiologjike me Covid-19 është stabile

11:26 | 21 Janar 2021
Arbresh.info

Sipas raporteve javore të Institutit të Shëndetit Publik për muajin e kaluar, jemi duke regjistruar stabilizimin e epidemisë në vend. Kemi rritje të numrit të pacientëve të rikuperuar nga Covid-19, thonë Ministria e Shëndetësisë, transmeton alsat.

Në raportin e Institutit të Shëndetit Publik për periudhën nga 11 deri në 17 janar, përqindja e rasteve pozitive nga të testuarit është 16 përqind, e që krahasuar me mesin e dhjetorit (raportin e ISHP-së për periudhën nga 14 deri në 20 dhjetor 2020) ka rënie prej 13,3 përqind, ku përqindja ishte 29.3 përqind.

Në të njëjtin raport nga dhjetori, numri i rasteve të personave të ri të diagnostikuar me Covid-19 në një javë ishte 4,585, ndërsa në raportin e ISHP-së për javën e kaluar ky numër është 2,397, që tregon një rënie prej 48 përqind. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i viktimave për javën e kaluar pothuajse është përgjysmuar, ndërsa numri i pacientëve të rikuperuar është rritur ndjeshëm.

Sipas statistikave të fundit, numri i rasteve aktive me Covid-19 është 11,924, ndërsa muajin e kaluar për të njëjtën periudhë, numri i rasteve aktive ishte 21,979, respektivisht numri i rasteve aktive ka rënë për 46 përqind.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, një nga treguesit kryesorë për përmirësimin e situatës epidemiologjike është edhe numri i pacientëve të shtrirë në spitale, ku në të gjithë vendin ka vetëm 598 të tillë, që tregon përgjysmim të numri të pacientëve me Covid-19 nëpër spitale krahasuar me muajin e kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme