Ministrja Shekerinska e vizitoi kazermën në Tetovë: Urime për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

14:43 | 7 Shkurt 2019
Arbresh.info

Sot ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska vizitoi kazermën në Tetovë, për të ua uruar ushtarëve nënshkrimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO si dhe për të parë nga afër mbarëvajtjen e aktiviteteve në këtë kazermë.

Radmilla Shekerinska ua uroi ushtarëve anëtarësimin në NATO dhe theksoi se ashtu siç tha edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Stoltenberg, ushtria e Maqedonisë është një ndër arsyet që ka ndikuar në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ministrja Shekerinska u njoftua me punën e kazermës, ambientet në të cilat ushtarët mbajnë ushtrimet, si dhe aktivitetin e tyre.

“Atë që ne si Qeveri e kemi përsëritur gjatë dy viteve të fundit, e tregojmë edhe në realitet, e kjo është që shërbimit për atdheun i duhet kushtuar më shumë kujdes. Andaj, ne kemi rritur pagat e pjesëtarëve të ushtrisë, zgjodhëm problemin me çizmet dhe uniformat, dhe sot jemi këtu për të treguar që nuk do ta lëmë me kaq, por do vazhdojmë me punë për të modernizuar pjesë të ndryshme të ushtrisë”, tha ministrja Shekerinska, njofton portalb.mk.

Ajo tha që këtë vit do i kushtojnë më shumë rëndësi përgatitjes fizike të ushtarëve. Gjithashtu lajmëroi se javën e kaluar është prezentuar rregullorja në bazë të të cilës ushtria e merr përgjegjësinë për përgatitjen fizike të ushtarëve, si dhe ofrimin e pajisjeve sportive të cilat deri sot nuk i ka poseduar, në afat prej tre vitesh.

Shekerinska theksoi se nga kazermat që janë brenda qyteteve përfitojnë jo vetëm punojnësit të cilët paguhen por edhe vetë komuna. Ndërkaq kazermat që janë paraparë si të panevojshme për çështje lufte u janë dhënë në përdorim institucioneve tjera për shfrytëzim. Ajo theksoi se, Ministria e Mbrojtjes do të bashkëpunojnë dhe investojë në komunat në Tetovë, Shkup dhe Kërçovë për sa i përket ndotjes së ajrit.

Në pyetjen se a planifikon të kandidojë për presidente, Shekerinska theksoi se e sheh të arsyeshme të mos notojë në ujrat e politikës, megjithatë vendimi do të bëhet i njohur më datë 3 mars.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme