Ministria e Arsimit në Maqedoninë Veriore, për njërin fshat nënë ndërsa për tjetrin njerkë

19:29 | 12 Shtator 2019
Arbresh.info

Ministria e Arsimit për njërin fshat nënë dhe për tjetrin njerkë. Kështu reagojnë banorët e fshatit Novosellë të Bogovinës pasi nxënësit e tyre nuk kanë se ku të mësojnë ndërkohë që ministria inauguroi sallën e re sportive për shkollën fillore “Rexhep Voka”, në Shipkovicë. Rinovimi i objektit të shkollës në Novosellë që u dogj dy vite më parë po lihet përgjysmë, thonë banorët. Shkolla nuk ka pa tualete, zyrë për arsimtarët dhe me një klasë më pak.

“Gjendja e shkollës është e papërfunduar, VC-të janë pa përfunduar, kemi mungesë të një klase. Ne kemi gjashtë paralele në dy ndërrime bëjnë 12 ndërsa ne kemi 13 paralele, një klasë se dimë se ku do e çojmë. Po ashtu s`ka zyrë për arsimtarët, e të mos flasim për kabinete informatike”, tha Reshad Azizi, kryetar i Këshillit të prindërve.

“Nuk ka as kushte elementare për fëmijët nuk ka banjo nuk ka zyrë për arsimtarët dhe nuk do i lëshojmë fëmijët se edhe brenda nuk është e rregulluar si duhet”.

“Po do vazhdojmë, nuk do i lëshojmë nxënësit në shkollë se nuk është një ditë u bënë dy vite e gjysmë që ka vetëm premtime e punë aspak. Do protestojmë para komunës, para Ministrisë çdo kund”.

Ministri Ademi thotë se nga firma ndërtuese është njoftuar për vonesat por jo edhe për atë se objekti nuk do të jetë i plotë.

“Jam njoftuar nga kontraktuesi se ka ngecje megjithatë më është dhënë garanci se ato do përfundojnë sa më shpejtë që është e mundur, në përputhje me projektin dhe obligimet të cilat janë marrë në bazë të kontratës për realizimin e shkollës së re. Informacione të detajuara për zhvillimet e sotme nuk kam. Për hir të të vërtetës nga Ju po e kuptoj për herë të parë por pas ngjarjes këtu, do i kontaktoj gjitha palët aty”, tha Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Shkolla fillore 11 Tetori e fshatit Novosellë të komunës së Bogovinës, është djegur më 22 tetor të vitit 2017 nga shkaqe ende të panjohura. E njëjta, është vizituar disa herë nga shumë funksionarë që premtonin rindërtimin e saj por deri edhe viti i ri shkollor nxënësit i gjet me objekt të papërfunduar./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme