Google ADS

Ministri Ademi ju bën thirrje mërgimtarëve të dalin të votojnë në referendum

19:17 | 12 Gusht 2018
Arbresh.info

Thirrje publike zyrtare të Ministrit të Diasporës, Edmond Ademi për votim të të shpërngulurve nga Maqedonia në referendumin. Ai tha se është e rëndësishme që mërgimtarët nga Maqedonia të deklarohen për këtë çështje sepse nga kjo varet fati i gjeneratave të ardhshme.

“Do të doja të shfrytëzoj këtë mundësi që t’i bëj thirrje që në mënyrë sa më masive të paraqiten dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të dalin dhe të votojnë ashtu siç mendojnë”, tha ministri Edmond Ademi.

Ademi njoftoi se kur do të fillojë fushata, në plan janë vizitat dhe takimet me mërgimtarët, jashtë, në diasporë, ku do ta sqarojnë marrëveshjen e nënshkruar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë dhe pse kjo marrëveshje është e rëndësishme për perspektivën e vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mërgimtarët nga Maqedonia do të mund të votojnë në referendumin që do të mbahet më 30 shtator të këtij viti. Ata të drejtën e tyre qytetare mund ta realizojnë në 5 përfaqësi diplomatike. Afati për paraqitje është nëpërmjet rrugës elektronike prej 9 gusht deri në 23 gusht.

Siç sqaruan nga KSHZ-ja mërgimtarët të cilët do të paraqiten të votojnë në ndonjë nga përfaqësitë diplomatike nuk do të mund të votojnë në Maqedoni./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme