Google ADS

Mijëra njerëz protestojnë kundër dhunës në Serbi pas vrasjeve masive

22:05 | 8 Maj 2023
Orgesa Haziri

Mijëra njerëz u mblodhën në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, më 8 maj. Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe kufizimin e përmbajtjeve të dhunshme në media, pasi dy raste të vrasjeve masive e tronditën vendin.

Në protestën me sloganin “Serbia kundër dhunës” morën pjesë anëtarë nga partitë e përçara politike të vendit, të bashkuara pas vrasjeve masive të javës së kaluar – kur 17 vetë u vranë brenda më pak se 48 orëve, përfshirë nëntë në një shkollë fillore në Beograd.

“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të promovimit të mëtejshëm të dhunës në media dhe hapësirë publike, si dhe përgjegjësi për reagim joadekuat që një kohë të gjatë nga autoritetet kompetente”, thuhet në një deklaratë të partisë së krahut të majtë, Le të Mos e Lëmë Beogradin të Mbytet.

Më shumë se dhjetë mijë demonstrues u mblodhën para parlamentit të Serbisë, para se të dilnin në rrugë për t’u tubuar pranë zyrave të Qeverisë së Serbisë.

“Ne jemi këtu sepse nuk mund të presim më. Ne kemi pritur shumë, kemi heshtur shumë, kemi kthyer kokën shumë gjatë”, i tha turmës Marina Vidojeviq, një mësuese e një shkolle fillore.

Slogani "Serbia kundër dhunës" gjatë protestës në Beograd të Serbisë, 8 maj 2023.

“Duam shkolla, rrugë, fshatra dhe qytete të sigurta për të gjithë fëmijët”.

Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë, përfshirë ministrin e Brendshëm dhe kreun e agjencisë së inteligjencës serbe.

Të dielën, ministri serb i Arsimit dha dorëheqje, duke përmendur në letrën e tij të dorëheqjes të shtënat e javës së kaluar në një shkollë në Beograd.

Opozita po kërkon gjithashtu që shfaqjet televizive, të njohura për promovimin e dhunës, të hiqen nga transmetimi dhe të ndalohen gazetat pro-qeveritare që nxisin rregullisht tensionet me artikuj të vrazhdët që synojnë disidentët politikë.

Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiq e kritikoi protestën, duke i quajtur grupet opozitare që morën pjesë në tubim “ligësi e pafytyrë… që guxon ta përdorë një tragjedi kombëtare për interesat e veta”, sipas mediave lokale.

Pas të shtënave, Vuçiq u zotua ta “çarmatoste” Serbinë me një plan ambicioz, ndërkohë që Serbia ka nivelin më të lartë të posedimit të armëve në Evropë nga civilët, me afërsisht 39 në çdo 100 njerëz që posedojnë armë zjarri, sipas organizatës kërkimore, Small Arms Survey./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme